PULËBARDHAT
13 nëntor 2019
| 08:53
Grigor Jovani
Ndodh diçka e çuditshme në verandën time.
E banojnë pulëbardha.
Nuk i ftoj, as i zboj.
Ndërtojnë foletë e tyre në këndet pranë kolonave
dhe shkojnë dhe vijnë.
Ka aromë deti vazhdimisht veranda ime.
Erërat ulërijnë.
Kushedi pse e preferuan.
Mbase ngaqë e kam shtëpinë në të hyrë të Pireut,
ku mblidhen zogj nga të katër qiejt.
Vjen hera-herës rapsodi qorr i Egjeut
dhe i dalin balada nga lirat dhe fyejt.
Ndjehem i privilegjuar që pulëbardhat zgjodhën
verandën time për shtëpinë e tyre verore.
Qera s’u kërkoj.
Por edhe ato, as që e diskutuan.
Gjersa sollën detin m’u tek këmbët e mia,
le të rrinë sa të duan!