Pullë postare me imazhin e legjendës Fadil Vokrri
Në kuadër të tematikës “Legjenda e futbollit – Fadil Vokrri”, Posta e Kosovës ka emetuar të hënën një pullë postare me imazhin e legjendës së futbollit të Kosovës, të ndjerit Fadil Vokrri.
Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë të tij në ambientet e Hotelit Emerald në Prishtinë, organizoi promovimin e pullës postare, me ç’rast priti Kryesinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, anëtarë të familjes Vokrri dhe mysafirë sportdashës të tjerë. Ai iu dhuroi në pllakë bronzi pullat e para familjes dhe përfaqësueseve të FFK-së.
“Ne jemi shumë krenar që po e promovojmë një pullë postare shumë të çmueshme që i kushtohet figurës të talenti më të njohur të futbollit të Kosovës Fadil Vokrri. Ndarja shumë e hershme e të madhit Fadil Vokrri në qershorin e këtij viti, na i theu zemrat e na pikëlloi të gjithëve. Por veprat e tij do të mbesin gjumë të pashlyeshme tek shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Fadil Vokri hyri në histori jo vetë për kontributin e tij në fushën e gjelbër brenda dhe në arenën ndërkombëtare por edhe për kontributin që dha në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës. Emri i legjendës Fadil Vokrri ashtu siç u përjetësua në stadiumin e Prishtinës nga sot e mot do të përjetësohet edhe në pullë postare, imazhi i tij i ngritur do të udhëtojë në tërë botën dhe do ta promovojë atdheun tonë Republikën e Kosovës. Krenaria dhe kujtimi për kampionin tonë nuk do të shuhen kurrë”, ka thënë Sejdi Hoxha.
Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka deklaruar: “Dua të falënderojë Postën e Kosovës, e cila me këtë pullë po e nderon dhe e kujton njeriun tonë dhe të mbarë Kosovës dhe më gjerë, njeriut që një jetë të tërë ia kushtoi futbollit të Kosovës dhe na la një trashëgimi të jashtëzakonshme duke na bërë pjesë të Evropës dhe botës. Sikur që gjatë jetës së tij legjenda Fadil Vokrri që shëtiti anë e mbanë botës, tash pas vdekjes do të shëtisë botën portreti i tij në dërgesat e Postës së Kosovës do të përshkojë sërish botën dhe me këtë do të lartësohet edhe më shumë figura e tij”.
Ndërkaq djali i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri në emër të familjes shprehi mirënjohjen për PTK-në. “Kjo na nderon gjithë familjen por edhe gjithë shqiptarët ku do që janë, sepse babai ishte më shumë i tyre se sa i yni”, ka deklaruar Gramoz Vokrri.
/Epoka e re/