Pulsi Publik i UNDP-së: Kënaqëshmëria me punën e presidentes 69 për qind, me të kryeministrit 58.3 për qind
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar edicionin e 26 të Përmbledhjes të Pulsit Publik në një konferencë për media të mbajtur të enjten.
Anketimi i opinionit të Pulsit Publik nxjerr në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë. Të dhënat për këtë përmbledhje janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj 2024, duke reflektuar opinionin e mbi 1,300 të anketuarve që mbulojnë të tridhjetë e tetë komunat, duke përfshirë
zonat urbane dhe rurale, dhe duke përfshirë të gjitha komunitetet e Kosovës.
Disa nga gjetjet kryesore të anketës përfshijnë: Të dhënat tregojnë se mesatarisht 50.1% e njerëzve janë të kënaqur me punën e institucioneve kryesore qendrore të Kosovës.
Kënaqshmëria me punën e kabinetit ekzekutiv u regjistrua në 53.3%, ndërsa me punën e kryeministrit u regjistrua në 58.3%. Kënaqshmëria me punën e Kuvendit ishte 52.10%, ndërsa kënaqshmëria me kryetarin e Kuvendit ishte 64.4%. Kënaqshmëria me presidenten është regjistruar në 69%. Shkalla e kënaqshmërisë me gjykatat ishte 27.1% dhe me Prokurorinë 26.5%.
Varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), u regjistruan si tre çështjet kryesore. Shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%) plotësuan pesë problemet kryesore.
Për shqiptarët e Kosovës, tri çështjet kryesore ishin papunësia (16.8%), varfëria (16.6%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.8%). Për serbët e Kosovës, varfëria (15.2%), problemet e hapësirës urbane (13.8%) dhe marrëdhëniet ndëretnike (13.3%) ishin tri çështjet kryesore, ndërsa për komunitetet e tjera të Kosovës, çështjet kryesore ishin varfëria (19.5%), furnizimi me energji elektrike. (14.2%) dhe problemet e hapësirës urbane (11.1%).
Një total prej 83.2% për qind e të anketuarve raportuan se ndjehen të sigurt nga dhuna dhe krimi kur janë në rrugë. Të dhënat e ndara sipas gjinisë treguan se 83.4% e burrave dhe 82.9% e grave ndjehen të sigurt kur janë në rrugë.
Të dhënat e ndara sipas përkatësisë etnike treguan se një numër më i madh i shqiptarëve të Kosovës (85.3%) dhe komuniteteve tjera të Kosovës (83.2%) krahasuar me serbët e Kosovës (31.9%) ndiheshin të sigurt kur ishin jashtë në rrugë. 60% e të anketuarve besojnë se punësimi në sektorin privat fitohet në bazë të meritës, krahasuar me punësimin në sektorin publik, për të cilin vetëm 32% e të anketuarve kanë pohuar të njëjtën gjë.
Një rritje si në Indeksin e Demokratizimit (ID-ja) ashtu edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE-ja) u regjistrua në anketën e fundit të opinionit me ID që aktualisht qëndron në 1.62 dhe IBE në 1.21. 27.3% e të anketuarve janë deklaruar se janë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin ekonomik, ndërsa 36.33% e të anketuarve janë deklaruar se janë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht.
Mesatarisht, 19.9% e të anketuarve kanë perceptuar se ekziston korrupsioni në shkallë të gjerë. Policia e Kosovës me 12.40% është perceptuar si institucioni më pak i korruptuar, e ndjekur nga organizatat ndërkombëtare me 13.70%.
Për 65.3% të të anketuarve, informacioni nëpërmjet medias është ai që ka formësuar perceptimin e tyre për korrupsionin në shkallë të gjerë. 26.8% e të anketuarve kanë pohuar se biseda me të afërmit është ajo që ka formësuar perceptimin e tyre, ndërsa 6.3% e të anketuarve kanë pohuar se përvojat personale kanë formësuar perceptimin e tyre.
Të dhënat e ndara etnikisht treguan se gjithsej 81% e komuniteteve të tjera të Kosovës, 76% e shqiptarëve të Kosovës dhe 54% e serbëve të Kosovës kishin gjasa të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti.
Gjithsej 10.9% e të anketuarve besojnë plotësisht dhe 40.9% e tyre besojnë se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ndikojë pozitivisht në jetën e njerëzve. Të dhënat e ndara sipas përkatësisë etnike treguan se 52.9% e shqiptarëve të Kosovës dhe 51.6% e komuniteteve të tjera të Kosovës kishin një pikëpamje pozitive për Marrëveshjen, krahasuar me 25.7% të serbëve të Kosovës.