Pulsi Publik: Kënaqshmëria për Kurtin 44.9 %, për Konjufcën 50.8 % dhe për Osmanin 56.8 %

10 mars 2023 | 11:33

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar edicionin e 23 të Përmbledhjes Pulsi Publik.

Anketa e opinionit të Pulsit Publik bazuar në intervistat e kryera në nëntor 2022 përshkruan gjetjet mbi dhjetë treguesit kryesorë që mbulojnë çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike.

Si tek të gjitha publikimet e mëparshme, të dhënat dhe treguesit janë zbërthyer sipas përkatësisë etnike dhe gjinisë në mënyrë që të sigurohen informata të detajuara mbi dallimet në perceptimet për sfidat zhvillimore me të cilat përballen qytetarët në Kosovë.

Pulsi publik 23 regjistron një ulje si në Indeksin e Demokratizimit (ID) ashtu edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE).

ID-ja aktuale shënon ulje të lehtë prej 0.14 pikë (1.52) krahasuar me prillin 2022 kur kjo vlerë ishte 1.66 pikë. Sidoqoftë, kjo shifër (1.52) sugjeron se më shumë se gjysma e qytetarëve në Kosovë kanë pikëpamje pozitive për proceset demokratike në Kosovë. Në mënyrë të ngjashme, IBE-ja është ulur për 0.12 pikë krahasuar me prillin 2022.

Gjithsej 69 për qind e të anketuarve besojnë se zgjedhjet në Kosovë janë demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41 për qind dhe me punën e kryeministrit prej 44.9 për qind.

Kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 39.1 për qind, kurse kënaqshmëria me kryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 50.8 për qind.

Anketa e nëntorit 2022 tregon që niveli i kënaqshmërisë me presidenten ishte në 56.8 për qind.

Ulje të dukshme pati në shkallën e kënaqshmërisë me gjykatat dhe zyrën e kryeprokurorit, në 24.4 për qind dhe 22 për qind përkatësisht, krahasuar me prillin e vitit 2022.

Një numër dukshëm më i ulët i të anketuarve ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike në nëntor 2022 (24.2 për qind) sesa në prill 2022 (37.6 për qind). Ky është numri më i ulët i të anketuarve të gatshëm të protestojnë për arsye politike i regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik.

Papunësia (29.9 për qind), varfëria (21 për qind) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (17.4 për qind) u perceptuan si tri problemet kryesore në Kosovë nga të anketuarit kur u kërkua nga ta të zgjidhnin tri çështjet më problematike.

Gjithsej 31.2 për qind e të anketuarve besojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime. 69 për qind e të anketuarve do të votonin, nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin së shpejti.

8.9 për qind e të anketuarve thanë se dinë shumë për sa i përket të drejtës për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, 26.2 për qind pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 46.1 për qind e të anketuarve thanë se dinë pak për këtë temë. Gjithsej 18.8 për qind thanë se nuk kanë njohuri për këtë temë.

Gjetjet tregojnë që 80.4 për qind të të anketuarve ndihen të sigurt kur janë jashtë në rrugë, në aspektin e dhunës dhe krimit potencial.

Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se meshkujt (81.1 për qind) ndihen më të sigurt kur janë jashtë sesa femrat (79.8 për qind).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juventusi shënoi fitore minimale ndaj Freiburgut (1-0), në ndeshjen e…