Pulsi publik: Rritet kënaqshmëria e qytetarëve me punën e institucioneve
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar sot edicionin e 20-të të përmbledhjes pulsi publik përmes një prezantimi virtual të të gjeturave kryesore.
Gjetjet e anketës së opinionit të pulsit publik të majit 2021 tregojnë një rritje domethënëse të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës, krahasuar me anketën e mëparshme të realizuar në dhjetor të vitit 2020.
Kënaqshmëria e regjistruar me performancën e kabinetit të ekzekutivit është 59.1 për qind, gjë që përbën një rritje prej 37.8 pikë përqindje në krahasim me anketën e dhjetorit 2020 kur kjo vlerë ishte 21.3 për qind.
Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit është 59.5 për qind (23 për qind në dhjetor 2020), ndërsa kënaqshmëria me punën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është rritur nga 46.7 për qind në dhjetor 2020 në 59.2 për qind në maj 2021.
Niveli më i lartë i kënaqshmërisë prej 63.7 për qind është regjistruar me punën e presidentes së Kosovës, krahasuar me 33.9 për qind të regjistruar në dhjetor 2020.
Indeksi i Demokratizimit (ID) është rritur me 0.26 pikë (1.58) krahasuar me dhjetorin 2020, kur kjo vlerë ishte 1.32 pikë që tregon se shumica e respondentëve janë të kënaqur me trendet demokratike në Kosovë.
Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike (IBE) është rritur nga dhjetori 2020 (0.84) dhe ka arritur në 1.49 pikë, duke treguar një rritje të konsiderueshme të besimit të qytetarëve në perspektivën ekonomike të Kosovës.
Gjetjet tregojnë edhe rritje thelbësore të ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 76.4 për qind që ndihen të sigurt kur janë jashtë (në publik), krahasuar me 68.4 për qind të regjistruar në dhjetor 2020.
Tri problemet kyçe me të cilat Kosova aktualisht ballafaqohet janë papunësia (34.3 për qind), varfëria (19.3 për qind) dhe korrupsioni (9.3 për qind).
Serbët e Kosovës e konsiderojnë papunësinë (16.7 për qind), sigurinë publike dhe personale (14.8 për qind) dhe problemet e hapësirës urbane (12.9 për qind) si tri problemet më të mëdha, ndërsa për komunitetet e tjera të Kosovës problemi më i madh është papunësia (51.2 për qind), ndjekur nga varfëria (18.9 për qind) dhe furnizimi me energji (11.4).
Respondentët u shprehën mesatarisht të kënaqur me reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj pandemisë Covid-19 me 43.6 për qind të kënaqur me masat e ndërmarra nga kabineti ekzekutiv.