Punë dreqi

04 gusht 2021 | 13:37

ERNEST BRAMAH

Zoti Braun u mat ta ulte shikimin që ta shihte grykën e revoles kur atë çast ia ndali dorën një zhurmë – një thirrje – diku në shkallën e bllokut të apartamenteve ku banonte. Kishte tri arsye se përse në atë çast të jashtëzakonshëm ai ishte aq i ndjeshëm ndaj një ndikimi aq të vockël: klithma qe çuditërisht e melodishme, ndërsa nga natyra dhe zeja dëgjuesi ishte muzikant; ajo thirrje qe jo vetëm e melodishme por, çuditërisht, edhe parake fare. Dhe, me ç’dukej, nënkuptonte një thëngjill. Ishte pikërisht mungesa e një malli të tillë që e shtyu muzikantin të kryente atë veprim të rrëmbyer. Një shkas fort i vogël që solli një pasojë aq të madhe, mund të vihet në dukje. Dhe, mbase qe ashtu, mirëpo meqë kishte karakter prej artisti, zoti Braun rrinte krejtësisht jashtë normës së zakonshme të sjelljes së arsyeshme.

Vërtet ai s’kishte pse të ankohej për atë punën e thëngjillit. I paralajmëruar si nga përvoja e dimrit të shkuar, ashtu edhe nga disa udhëzime zyrtare, në të hyrë të majit ai kishte shkuar te thëngjilltari dhe kishte porositur t’i sillnin nxënësinë e plotë të bodrumit të tij të vogël – plot një ton. Dërgimi i tij iu premtua të kryhej pas një jave, midis orës nëntë dhe dhjetë të mëngjesit dhe, me gëzim të madh, zoti Braun u kthye i sigurt.

Në korrik zoti Braun hoqi dorë duke e mbuluar sallonin me gazeta gjatë ditëve me shi në pritje të ardhjes së qymyrshitësit.

Zoti Braun porositi në gusht edhe njëmbëdhjetë thëngjilltarë të tjerë dhe, sikur të ishte kokëkrisur, ai porositi një ton nga secili prej tyre. Shtatë prej tyre s’e pranuan punën; nga ata që kishin mbetur, vetëm njëri u zotua se mallin do ta dorëzonte pas plot një jave në 8.30 në mëngjes (ose, shtoi ai, midis orës 8.30 dhe nëntë pa një çerek), një tjetër si sot motmot, ndërsa pjesa tjetër në data të ndërmjetme.

Më pas, gjatë po atij muaji, Brauni u shkroi nga një letër prej të marri secilit prej tregtarëve, duke u pohuar se ndonëse ishte treguar i pamend duke kërkuar vetëm thëngjill në porosinë që kishte bërë, në të vërtetë ai ishte i gatshëm të pranonte çfarëdo lënde zëvendësuese që ata furnizonin me atë emërtim. S’kishte mënyrë tjetër se si mund t’ua kujtonte atë punë ai, por meqenëse toni i ndërlidhjes së tyre qe i lehtë dhe i shpenguar, të gjithë ata që morën letrat pandehën se ajo duhej të përcillte ndonjë fyerje të fshehtë, ndaj porosia u fshi nga blloqet e porosive.

Tregtari i tij fillestar në shtator i tërhoqi vërejtjen për padurimin e tij, duke i bërë me dije se, ndonëse i qenë zotuar që në muajin maj t’i çonin thëngjill, gjithsesi në të njëjtën hall kishte edhe shumë syresh të tjerë që, si ai, iu qe premtuar të pajiseshin në mars apo në prill me thëngjill.

Në tetor zoti Braun filloi të mendonte që ta vriste veten si mënyra më e thjeshtë për të dalë nga ajo gjendje. Ishte me vend që netët për më se një muaj të ishin të ftohta, e tashmë edhe gjatë ditës qe aq ftohtë sa nuk rrije dot qoftë edhe para një prushane pa zjarr. Të rrije atje brenda nënkuptonte të vdisje urie, ndërsa të dilje (shërbyesin e kishin përjashtuar nga detyra e ekonomatit të luftës) nënkuptonte ta humbje qymyrin kur të vinte. Atë mëngjes zonja Braun mori guximin të jepte një këshillë nisur nga qëllime të mira. I shoqi u shtir sikur e pranoi me ironi të stërzgjatur. Ndaj, së fundmi, e përlotur zonja doli nga shtëpia që të psoniste, prandaj tashti burrit të penduar dhe të keqardhur i dukej se më e mira që mund të bënte ishte të dilte dhe të bëhej tym fare.

Mirëpo kumbimi i pazakontë i ziles e kishte tërhequr, kat pas kati (apartamenti i Braunit ndodhej në katin e fundit), ndërsa te porta buçitnin të trokitura të forta. Me mirësjellje instinktive, madje edhe atë çast, muzikanti vajti sakaq t’i përgjigjej, ashtu hutaq, duke shtrënguar fort armën në dorë. Jashtë ndodhej një burrë shtatshkurtër, por truplidhur; një thes i rëndë ndodhej i baraspeshuar mjeshtërisht te supet e tij.

– Keni kërkuar pak qymyr, apo jo, zotëri?

– Këndej, – ia ktheu paksa i shushatur zoti Braun. Atij s’i bëhej vonë nëse qymyri ishte kokërrvogël apo në blloqe njëzet e ca kilogramësh. Ai ecte ndërsa punëtori e ndiqte dhe më pas uli ngarkesën.

– Druaj se të vish gjer këtu sipër është përpjekje e mundim­shme, – u shfajësua Brauni. – Domethënë të ngjitësh edhe thesin, apo jo?

– Oh, por kjo s’ka rëndësi fare, – ia ktheu me dashamirësi qymyrshitësi. – Shihni, unë i kam fort për zemër muzikantët, ndaj kur dëgjova se kishit mbetur i pashpresë…

– E dinit që unë isha muzikant?

– Po, se ju kam dëgjuar shpeshherë të luani muzikë.

– Vërtet?! S’e paskam ditur që tingujt e violinës sime kanë zbritur gjer poshtë në rrugë. Dhe s’më duket se e kujtoj të më keni thirrur më parë.

– Tash unë thërras më të rrallë. Jo se më vjen turp nga zanati im… apo nga puna që kryej. S’ka burrë nëne që ta thotë këtë për Tom Britënin, zotëri. Edhe kur rastis ta takoj, sikurse më ndodh me raste, dukeshën time…

– Dukeshën tënde?!

– E kam fjalën për hirësinë e saj të Kuinsbërit, zotëri. Ajo është e rregullt në koncertet që jap…

– Koncerte?! Pse, ju dhënkeni koncerte?! Mos mor! Por, qysh… ku… në Sallën e Koncerteve të Mbretëreshës?

– Në Sallën e Koncerteve të Mbretëreshës? Oh, çne, fjala është për një dhomë në nënçati sipër depos së qymyrit që ndodhet përballë Klarkënuellit… disa karrige, një platformë, nga një filxhan kafe dhe muzikë të enjteve mbrëma.

– Kuptoj… sipër depos suaj të qymyrit… ndërsa dukesha vjen rregullisht mbrëmjeve të të enjteve… afërmendsh, pasi mbyllen shitoret pasditeve… më se e natyrshme… Ju lutem, a s’më thoni se cilës vegël muzikore i bini, zoti Britën?

– Pak të gjithave, zotëri. Kam një violonçel mjaft të mirë norman dhe një harpë holandeze që vështirë se mund t’ia gjesh shoqen në Evropë. Por, për dhuntinë që tërheq shumë fisnikë dhe mendjehollë në nënçatinë time, ua kam borxh miqve të mi. Zoti Banistër i bie violinës së parë, sër Roxhër Lestrenxhi violës, zotërinjtë Hjuz, Uilistën dhe ai Shatëlluerth veglave të tjera muzikore, ndërsa me klevicembalin në përgjithësi ia di për nder dr. Pepëshit, kurse i madhi zoti Xhorxh Hendël udhëton zakonisht për në Klarkënuell që t’i bjerë organos sime.

– Zoti Xhorxh Hendëll? Hendlli! – Sytë e habitur të zotit Braun u ngulitën rishtas drejt trajtës shulake, por jo sulmuese, të vizitorit të tij. – Po… po… sigurisht… të mbytë vapa kur ngre këta thasë… një gotë… diçka freskuese?

Buzagaz qymyrshitësi nuk e pranoi ofertën dhe, sikur kjo t’i kujtonte detyrën e tij, ai nxitoi t’ia dilte në krye sakaq punës. Brenda një kohe aq të shkurtër, sa zoti Braun s’e kishte shikuar më parë ndokënd tjetër qoftë edhe nëse bëhej fjalë për gjysmën e ngarkesës, plot njëzet thasë u futën vetëtimthi, dhe pronari i banesës, i lehtësuar pa “bodrumin” t’i mbushej dengëza aq sa s’nxinte më. Megjithatë, ai e shmangu punën e muzikës, ndërsa shkarkuesin e qymyrit s’e dëgjoi t’i kthehej asaj.

– Duket që qenka qymyr i mirë, – vlerësoi Brauni kur po zbrazej thesi i fundit, – ndonëse jo kokërrmadh.

– Qymyri kokërrvogël është më i miri, – qe kundërpërgjigjja. – Ndoshta ai mund të lëshojë paksa erë squfuri kur digjet, por s’çalon puna te kjo, pastaj ai është nxjerrë nga një minierë mjaft e njohur.

– E po, kur të më nevojitet më shumë uroj që të më dërgoni prapë, sepse është hera e parë që ma sillni kaq shpejt.

– Këtë do t’ia them sipërmarrjes ku punoj, zotëri, – tha burri shkurtalaq. – Por, puna është se drejtuesi s’është gjithnjë me të mira… Nganjëherë vërejtjet e vogla i zmadhon shumë.

Zotit Braun iu kujtua diçka vetëm pasi ai kishte ikur. Për shkak të asaj gjendjeje të çuditshme të krijuar, ai harroi ta paguante faturën, të cilën, ç’është e vërteta, as punëtori s’ia kishte paraqitur. Muzikanti vajti me nxitim te dritarja me pamje nga rruga që ta lexonte emrin e karrocës ngaqë ai s’qe i sigurt se cilës shoqërie tregtare i detyrohej. Por ja që në rrugë nuk shihej kurrfarë karroce. Shkallinat qenë të lira. Të vërtetën e vizitës së mëhershme e vërtetonin kurrgjë tjetër veçse erëmira e këndshme që rrinte ende pezull e pëlhurës së thasëve të veshur me dyllë.

Atë pasdite zoti Braun iu vu punës për ta shlyer llogarinë. Fillimisht iu drejtua furnizuesit të tij që e furnizonte rregullisht, të cilin e gjeti të përfshirë në një përplasje me fjalë që nuk kishin të sosur me një zonjë gjuhëbrisk së cilës i qe zotuar t’i çonte ca qymyr qysh në shkurt. Si dukej, atë s’ia kishin çuar ende, ndaj meqë qeveria rregullonte gjithçka, ajo kërkonte të dinte t’i thoshin se ç’duhej të bënte.

– Mos ma kërko mua, – po thoshte burri i mërzitur kur hyri zoti Braun, sepse s’jam qeveria.

– Më mirë ty, – ia ktheu ajo ngaqë, sa duket, ata dredhin zinxhirin dhe bëjnë vetëm premtime.

– Ç’u ka ngelur të bëjnë, – iu kundërvu gjithë egërsi ai, – me njerëz si puna jote, xhanëm?!

– Ma thotë mendja që ata duhet të merren me depot e qymyrit, – qe vërejtja e saj thumbuese e ndarjes. – Duket sikur ata janë prerë e qepur për atë punë.

– Çfarë mund t’ju shërbej, zotëri? – kërkoi të dinte admini­stratori i zotit Braun me një zell të papërmbajtshëm.

– Puna është se kishin lënë ca qymyr në banesën time. S’di në e kishit dërguar ju…

– Ma merr mendja se duhet ta keni dëftesën e dërgesës, apo jo?

– Mjaft e çuditshme, me ç’duket s’paska ngelur gjë, ndërsa unë…

– E po, jo, sepse porosinë tuaj e kemi për javën tjetër. Të enjten, herët në mëngjes. Me shumë gjasë duhet t’ju ketë shtrënguar dikush.

– S’arrij ta kuptoj se si mund të jetë e vërtetë kjo. Punëtori – një tip shtatshkurtër gazmor, i cili s’u ngjit fare shkallëve…

– S’ka qenë asnjë prej njerëzve tanë, – tha me vendosmëri administratori. – Ditën e mirë!

Zoti Braun doli nga zyra dhe vajti në vendin tjetër më të përshtatshëm, pas tij në një tjetër vend. Por askurrkund s’pati sukses.

Në fund kishte mbetur vetëm një zyrë – të paktën ajo më premtuesja. Ai vajti atje sa për sy e faqe dhe nisi avazin tashmë të ditur:

– Keni shpërndarë ca qymyr…

– Po? – iu kundërvu i riu që shërbente, sikur fjalët t’ia kishin shkulur me anë të një gulçimi.

– Që… keni një tablo atje sipër, – belbëzoi me zë të dridhur zoti Braun dhe drejtoi gishtin kah ajo. – A bën ta shoh atë?

– Sigurisht, dha pëlqimin gjithë dashamirësi nëpunësi. – Gjë e vjetër pa vlerë, apo jo? Ai ngriti kapakun e banakut në mënyrë që të kalonte brenda.

Ngjante pikërisht me gravurën e një burri shtatshkurtër, shulak, fytyrëmbël me përparëse të bruztë pune, duke paraqitur në dorë një shtresë qymyrgurore, thua si për të vërtetuar se s’i vinte aspak turp nga zeja e tij. Përposh gjendeshin fjalët: “Tomas Britëni (1654-1714, pas Krishtit). Qymyrshpërndarësi muzikant. Nga tabloja e Galerisë Kombëtare të Portreteve”.

– Atë e solli një ditë qeverisësi i cili e vari këtu, – doli vullnetar të thoshte i riu. – Si i thonë, ai është pak a shumë si shenjt që mbron punën.

– Cili na qenka ai… cili është, a e di?

– Eh, asokohe atë e pashë me adhurim, apo s’duhej ta bëja këtë. Po, ai ishte njeri i madh për kohën e tij. Shitës i vogël qymyri i cili e shpërndan vetë mallin. E, megjithatë, ai njeri, zotëri, në kohë të vet ka qenë një prej muzikantëve më të shquar. Jepte koncerte dhe tërhiqte tërë pasunarët dhe pispilluqët e Uest Endit[1] te depoja e tij e qymyrit diku. Si të thuash, ndonëse i ka gjithnjë në rregull pipëzat me ajkën e shoqërisë, prapëseprapë ai del e sillet vërdallë gjithë kohës për qymyr.

– Atëherë qenka e vërtetë, – murmuriti zoti Braun.

– Oh, ju siguroj, më se e vërtetë! Por kjo s’mbaron me kaq. Përkundrazi, ai është marrë me kimi, astrologji dhe gjëra të tjera që s’kuptoheshin shumë asokohe dhe, në të vërtetë, i doli nami se kishte lidhje me Djallin! Afërmendsh që unë ruhem shumë nga ai.

– Pikërisht, – miratoi me zë të mekur zoti Braun. – Mirë u pafshim!

– Oh, s’ka përse, – ia ktheu me përzemërsi punonjësi i zyrës.

Parku Reivënskort, 1918.

 

 

Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. E përktheu nga origjinali (anglishtja): Klodian Briçi.

 

 

[1] Lagjja aristokratike e Londrës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëntë anëtarët që përbëjnë Komisionin qëndrojnë në detyrë për katër…