Punë praktike me mundësi punësimi për 100 studentë të diplomuar nga Fakulteti Teknik në Mitrovicë
Udhëheqësi i Njësisë së të Drejtave të Njeriut, Fitim Rama, është takuar me drejtorin e Zyrës Rajonale të Punësimit në Mitrovicë, Besmir Salihu, me të cilin kanë biseduar në lidhje me zbatimin e projektit “Skema e Praktikës për të diplomuarit nga Fakultetet Teknike”, i realizuar nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman dhe Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Me këtë rast, drejtori i Zyrës Rajonale të Punësimit, Besmir Salihu, ka potencuar se kjo skemë e praktikës do të përfshijë 100 studentë të diplomuar nga Fakulteti Teknik në Mitrovicë, të cilët do të kenë mundësinë e praktikës në vend të punës dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për përfshirje në tregun e punës.
“Sipas memorandumit që është nënshkruar nga palët, trajnimi në vendin e punës do të zgjasë gjashtë muaj. Palët e përfshira në këtë memorandum janë dakorduar të punojnë së bashku, për të përcaktuar dhe zbatuar skemën e praktikës për të diplomuarit deri në moshën 35 vjeç, dhe për studentët të cilët kanë përfunduar studimet gjatë viteve 2018-2019”, ka thënë Salihu.
/Epoka e re/