Punë praktike për 10 mijë të rinj, MFPT-ja nis koordinimin me bizneset
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë ka organizuar tryezën e diskutimit lidhur me mundësitë e angazhimit në punë praktike të 10 mijë të rinjve, përmes platformës “Kosovo Generation Unlimited”.
Ministri i kësaj ministrie, Hekuran Murati, në hapjen e tryezës së diskutimit është shprehur se punësimi i dinjitetshëm është prioritet kyç i kësaj qeverie, me fokus të veçantë punësimin e të rinjve.
“Për këtë qëllim në bashkëpunim me UNICEF-in jemi zotuar që në kuadër të ‘Generation Unlimited’, 10 mijë të rinjve t’iu ofrojmë mundësinë e punës praktike në kompanitë private që janë pjesë e rrjetit ‘CSR Kosova’”, ka thënë ai.
Ndërsa koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson është shprehur se për dallim nga vendet e tjera të Evropës, Kosova ka një popullsi të re e cila mund të bëhet motor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Gjatë kësaj tryeze është prezantuar modeli trepalësh i bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve UNICEF-it dhe rrjetit “CSR Kosova” për bashkëpunim në kuadër të “Generation Unlimited” për dy vitet e ardhshme.
Ky bashkëpunim do të kontribuojë në praktikat më të mira në promovimin e punësimit dhe fuqizimit të të rinjve për zhvillimin e aftësive dhe përvojës së punës, duke përfshirë punën praktike dhe mentorimin.
Kurse përfaqësuesit e sektorit privat kanë paraqitur sfidat kryesore sa i përket fuqisë punëtore dhe ndanë idetë e tyre sa i përket intensifikimit të bashkëpunimit në mes të sektorit privat dhe qeverisë.
Pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të ndajnë përvojat e tyre si dhe praktikat më të mira për fuqizimin e të rinjve.
Në këtë tryezë ishin të pranishëm udhëheqës qeveritarë, ambasadorë, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare zhvillimore, si dhe akterë kryesorë nga sektori privat.