PUNËMBARI BISLIM PIREVA

07 shtator 2018 | 11:02

Shkruan: Prof. dr. Hysen Matoshi

Në vend të in memoriamit

Pikërisht në ditën e hapjes së shkollave në Kosovë, më 1 shtator, i mbylli sytë arsimdashësi i madh dhe një ndër intelektualët më të dalluar të Gjilanit e të rrethinës, filologu mr. Bislim Pireva (1946-2018). Gjithë jeta e tij ka qenë e ndërlidhur ngushtë me shkollën, me dijen, me kulturën, me humanizmin. Kushdo e ka njohur dhe ka pasur të bëjë me të ndjeu dhembje për humbjen e një njeriu shembullor dhe profesionisti të rrallë, i cili për gjysmë shekulli në jetën tonë u shqua si pedagog dhe si dijetar.

Profili etik i Bislim Pirevës

Vlera të shumta domethënëse etike e karakterizonin Bislim Pirevën si personalitet i veçantë. Ndër to më kryesorja ishte sakrifica – gatishmëria për t’iu dalë krah të tjerëve, sidomos atyre që ishin në halle të mëdha. Njeriu, i cili as vetes nuk i jepte kohë të lirë, ishte i gatshëm t’iu kushtonte gjithë vëmendjen familjarëve, kolegëve, miqve, sidomos nxënësve të tij të shumtë, bashkëqytetarëve dhe kujtdo që ishte në vështirësi. Përpjekjet e tij nuk bazoheshin në kurrfarë pushteti e fuqie vepruese që mund të vinte nga mekanizma institucionalë a shoqërorë. Ato buronin nga parimësia e tij, e cila sakrificën individuale kishte akceptuar si bazë të mjaftueshme për të vepruar në përputhje me kodin e mirësisë njerëzore. Heqja dorë nga të mirat vetjake me qëllim që të ndihmohen të tjerët ishte njëri ndër postulatet e tij etike.

Në sistemin e vlerave të tij ishin edhe modestia dhe qetësia e admirueshme në raport me të tjerët dhe në përballje me situatat e vështira jetësore. Nuk mbante asnjë lloj distance me bashkëkohësit e tij, pavarësisht se cilit rang intelektual e shoqëror i përkisnin. Afërsia e tij me të gjithë zinte fill nga koncepti që tjetrin ta shihte me respekt dhe ta trajtonte me drejtësi. Nuk mbaj mend ta ketë përçmuar ndokënd, përveç atyre që në prani të tij shiteshin si mendjemëdhenj. Ndaj ishte aq komunikues dhe aq i pranueshëm me të gjithë, pavarësisht nëse bëhej fjalë për të moshuar, për kohanikë të tij, apo për fëmijë. Në debate ishte racional, shterues dhe argumentues. Shumë rrallë ndodhte që, kur nga bashkëbiseduesit kaloheshin të gjithë kufijtë e mirësjelljes, arrogancës t’i përgjigjej me ndonjë shpërthim spontan. Këshilla ishte arma e tij më e fuqishme në komunikim, e cila varësisht nga rrethanat shfaqej në trajtë urtësie e alegorie, por në rastet kur ligjërimi i figurshëm nuk bënte punë ajo vinte edhe si e drejtpërdrejtë.

Përkushtimi ishte një vlerë tjetër etike dhe profesionale e Bislim Pirevës. Në krye të herës ishte një familjar i përkushtuar, do të thosha shembullor, po aq sa edhe një pedagog i devotshëm në punën e tij me nxënës, një intelektual i fokusuar fuqishëm tek angazhimi për të mirën e përgjithshme shoqërore e kombëtare, një dijetar kërkues i së vërtetës shkencore që rëndom në hulumtimet e tij përfshinte një gamë të gjerë burimesh arkivore, shkrimore e sidomos kujtesën e pavjelë të popullit. Në asnjërën prej këtyre fushave jetësore nuk ishte i rastësishëm, secilës i përkushtohej me tërë qenien e tij, me tërë kapacitetin etik dhe profesional. Në asnjë punë nuk i honepste improvizimet.

Portreti i tij do të vijonte edhe me të tjera vlera, sikundër janë besnikëria, bujaria, guximi, parimësia etj., të cilat besoj se do të shpalosen edhe nga të tjerë kolegë, bashkëkohës, veprimtarë e studiues, të cilët mr. Bislim Pirevën e njohën personalisht, ose edhe nga ata që e njohën veprën e tij të begatë shkrimore.

Studiues me interesime të gjera

Studiues me interesime të gjera albanologjike nga fusha e gjuhësisë, saktësisht dialektologjisë, ku shfaqet si autor që studion një të folme të Gallapit, atë të Jabllanicës së Epërme, pastaj nga fusha e leksikologjisë, si autor fjalorësh, autor i dy monografive për historikun e arsimit shqip të trevës së Medvegjës dhe të trevës së Tygjecit, zë kundërshtues ndaj të pavërtetave që thuhen për shqiptarët, tani së fundmi edhe autor i një libri polemizues me tezat e vjetruara e falsifikuese të historiografisë serbe, por edhe mbledhës dhe botues i trashëgimisë folklorike të Malësisë së Dardanës i monografive e shkrimeve për çështje të ndryshme të trevës, të arsimit, të kulturës, të problematikës teksteve shkollore etj., mr. Bislim Pireva i pati hyrë realizimit të projektit më madhor të të gjithë veprimtarisë së tij intelektuale e profesionale, projektit që lidhet me të kaluarën e dhimbshme të Gallapit, njërës ndër krahinat etnografike shqiptare, e cila pati fatin të përballej me dhunën e pandalshme shekullore që vinte nga ambiciet serbe për të mbizotëruar në këtë hapësirë etnike shqiptare. Krahas veprimtarisë së tij pedagogjike prej më se katër dekadash, mr. Bislim Pireva në opinionin tonë shkencor e kulturor u shfaq edhe me një numër impozant veprash, prej 13 sosh, të cilat arriti t’i realizonte dhe t’i botonte pa asnjë ndihmesë institucionale, përjashtimisht ndonjë mbështetje të rrallë të dashamirësve të veprës së tij.

Veçanti të shkrimit shkencor të mr. Bislim Pirevës janë qartësia dhe rrjedhshmëria logjike. Lexuesi do të mësojë shumë të dhëna të reja prej këtyre veprave, por gjithsesi edhe pikëpamjen e autorit lidhur me problematikën e trajtuar. Racionaliteti i tij ndërlidhet edhe me një qasje metodologjike që i përjashton përshkrimet e tepruara. Rrjedhimisht teksti i tij është i fokusuar në shpalosjen e konstatimeve, kryesisht nëpërmjet fjalive të shkurtra dhe të qarta. Në kontributet historiografike i përball burimet shqiptare me ato të dijes serbe, pavarësisht që në të shumtën ato vijnë ndesh me përfundimet e tij si autor. Baza më e gjerë burimore e veprës së tij e bën Bislim Pirevën një autor të besueshëm edhe në kontekste përtejkombëtare.

Dokumentimi i dhunës shekullore serbe

Pa mohuar kontributin që ka dhënë në fushë të mbledhjes dhe të studimit të lëndës gjuhësore e folklorike të Gallapit, pastaj kontributin e madh historiografik dhënë fillimit dhe zhvillimit të mëpastajmë të arsimimit në këtë trevë, mund të thuhet se fillimi i realizimit të projektit “Dhuna shekullore serbe në Gallap” e shënon ndihmesën monumentale të mr. Bislim Pirevës. Le të themi kryeveprën e tij.

Gjithnjë më ka mahnitur vendosmëria e tij për ta nisur këtë projekt pikërisht duke e njohur përmasën tmerruese të indiferencës sonë kolektive për të kaluarën, pastaj duke e ditur se çdo ditë e kaluar pa faktimin e kujtesës sonë e bën edhe më të vështirë realizimin e projektit, shpërfilljen e paparë institucionale e shoqërore për të mbështetur projektet e këtilla etj.; pra, duke e njohur këtë konglomerat vështirësish nuk isha shumë i bindur se puna e tij do të rezultonte me sukses. Megjithatë, autori i dy vëllimeve – ku fillimisht përfshihen fshatrat Tygjec, Sfircë, Zajçec dhe Gmicë, ndërsa në vëllimin vijues edhe dyzet fshatra të tjera të Gallapit, në një shtrirje të disa komunave, duke filluar nga Prishtina, për të vijuar me Gjilanin, Artanën, Dardanën, Bujanocin dhe Medvegjën – ka bërë një punë grandioze. Një terren i gjerë, krahas një hapësire kohore me një shtrirje përtejshekullore, nuk kanë qenë pengesë e pakalueshme që mr. Bislim Pireva të sigurojë të dhëna për 1073 shqiptarë të kësaj treve, të cilët në një hark kohor prej më shumë se një shekulli, ose janë ekzekutuar si robër dhe popullsi e pambrojtur nga ekspeditat ndëshkuese serbe, ose kanë rënë në përballje me to, duke mbrojtur kufirin e atdheut etnik. Kjo është një punë kolosale, vështirë e realizueshme edhe për ekipe të mëdha studiuesish. Në aspektin metodologjik Bislim Pireva është kujdesur që, në rend të parë, të përfshijë emrat e të vrarëve, kohën dhe vendin e vrasjes, apo të rënies. Në raste të caktuara ka ofruar edhe detaje të tjera, sikundër emrat e vrasësve, ose të njësive vrastare të pushtuesit, rrethanat në të cilat janë zhvilluar ngjarjet etj.

Mr. Bislim Pireva ka mbledhur dhe ka prezantuar edhe të dhëna që nuk kanë të bëjnë vetëm me jetët e shuara të shqiptarëve të kësaj treve. Në përmasa edhe më të gjera dhuna shekullore serbe shfaqet edhe nëpërmjet torturave fizike e psikike, keqtrajtimeve të rënda e burgosjes, deri te dëbimet masive për në Turqi dhe në vise të tjera shqiptare, gjithnjë me qëllimin që potenciali rezistues kombëtar shqiptar në Gallap të dobësohej, të thyhej kjo barrierë kompakte etnike që ishte bërë pengesë e sllavizmit të Kosovës.

Me realizimin e pjesës më të madhe të projektit “Dhuna shekullore serbe në Gallap”, mr. Bislim Pireva ua ka ngritur viktimave dhe të rënëve të kësaj treve një lapidar të vogël, por shumë vezullues në ndërgjegjen tonë, një gjurmë të patretshme, e cila, brezat e ardhshëm të studiuesve tanë do të mund t’i shpjerë, në të ardhmen, në rrugën e kërkimit të faktografisë dokumentare arkivore.

Vendlindja dhe Medvegja

Mr. Bislim Pireva ishte ndër të paktët intelektualë të trevës së Gallapit, i cili, pas ngritjes së duhur arsimore-profesionale, dha kontribut edhe për bashkëvendësit e tij. Në aksionin e tij të gjithëmbarshëm arsimor vendlindja përbënte një përkushtim të veçantë. Përveçse punoi tri vite në shkollën e vendlindjes, Bislim Pireva u angazhua që të mblidhte dhe të botonte margaritarët popullorë folklorikë e leksikografikë të kësaj treve, e cila edhe në këtë aspekt nuk ishte studiuar sa duhet. Megjithatë, monografia “Shkolla fillore e Tygjecit (1947-2004)” përbën sintezën më të madhe kushtuar historikut të arsimit shqip në këtë trevë, ku janë përfshirë, përveç shkollës amë (të Tygjecit), edhe shkollat e Svircës, Gmicës, Zajçecit dhe Meshinës. Të dhënat e prezantuara, statistikat, sikundër edhe dëshmitë dokumentare,  biografitë e mësuesve dhe të personaliteteve të dala nga kjo shkollë, janë të shumta dhe me interes për historikun e shkollës shqipe.

Një trevë shqiptare të cilën mr. Bislim Pireva gjatë gjithë jetës e kishte në vëmendje (pse të mos thuhet edhe në zemrën e tij) ishte Medvegja. Është ndër studiuesit e paktë shqiptarë që ka realizuar dy monografi shkencore, apo më mirë të themi dy sinteza të rëndësishme shkencore për këtë trevë. Monografia “E folmja shqipe e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës” përbën kontributin më të rëndësishëm dialektologjik për këtë të folme skajore të shqipes. Citimi i shpeshtë i saj nga dialektologë shqiptarë është dëshmi vlerave të një pune serioze e të çmueshme kërkimore-shkencore. Monografia tjetër “Shkolla shqipe në Komunën e Medvegjës”, e cila për shumëçka është në vazhdën e së parës, përbën një sintezë të kronologjisë së ekzistimit të shkollës në Medvegjë për më se një shekull. Natyrisht autori e ka qartësuar faktin se shkolla shqipe daton vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, pasi shkollimi u bë i mundur edhe për shqiptarët e Medvegjës aty nga fundi i shek. XIX (kuptohet në gjuhën serbe), një numër i madh prej tyre u shkolluan, madje edhe i vijuan mësimet në qendra të tjera të kohës, duke shënuar arritje arsimore me interes në përmasën kombëtare. Duke marrë parasysh rrugën zhvillimore të shkollës, ndikimin e saj në jetën e shqiptarëve përgjithësisht dhe kuadrot e shumta që ka dalë prej saj, mr. Bislim Pireva, me të drejtë, e ka quajtur trevën e Jabllanicës së Epërme një Voskopojë të dytë shqiptare. Të vetëdijshëm për faktin se kjo trevë shqiptare tashmë ndodhet në prag të zhbërjes, mund të themi, me plot të drejtë, se këto dy monografi kanë vlerë të shtuar si kontribute të gjithmonshme shkencore filologjike dhe historiografike.

Të paktë janë njerëzit që zotërojnë një kuantum të përafërt njohurish me ato të mr. Bislim Pirevës për çështjet që ka trajtuar në shkrimet e tij. Gjithë këtë e ka arritur me një punë vetëmohuese dhe të pandërprerë për dekada të tëra. Ndonëse pjesën më të madhe të shkrimeve i ka botuar, jam bindur shumë se informacioni i tij ishte edhe më i gjerë se sa shfaqet në trembëdhjetë botimet që panë dritën për të gjallë të tij. Ishte një enciklopedi e gjallë e trevës dhe një arkiv i saj që ecën nëpër kohë. Përveçse i njihte personalitet e shquara të trevës, ai kishte njohuri madje edhe për pasardhësit e tyre. Duke krijuar një tablo të plotë informacioni, ai krijon edhe premisa të qëndrueshme të argumentimit shkencor.

Të paktë janë njerëzit si Bislim Pireva, të cilët punojnë në heshtje, krijojnë vlera të qëndrueshme, pa i trumbetuar zëshëm ato. Nuk ishte ithtar i përurimeve të veprave. “Libri i mirë gjithmonë e gjen lexuesin e vet”, thoshte. I bindur se puna flet më shumë e më bindshëm për autorin e saj, nuk e kemi parë që t’i propagandonte rezultatet që i kishte arritur me shumë përkushtim e punë të palodhshme. Uroj që trashëgimia e tij, puna shembullore prej pedagogu gjatë më se katër dekadave dhe veprimtaria e tij shkrimore, të shërbejnë për të formësuar profilin e intelektualit mr. Bislim Pireva, por gjithashtu të shërbejnë për brezat e rinj edhe si model i përkushtimit profesional dhe etik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Muhamet Krasniqi Pa dyshim se një prej shtyllave fondamentale të…