Punësohet në QKUK bashkëshortja e anëtarit të Vetëvendosjes
Bashkëshortja e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Baton Kelmendi është punësuar në QKUK. Kelmendi në të kaluarën e akuzonte ShSKUK-në për politizim brutal kur Ministria e Shëndetësisë (MSh) udhëhiqej nga PDK-ja.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka përfunduar procedurat e rekrutimit për punësimin e tre specialistëve të pediatrisë për Klinikën e Pediatrisë, shkruan gazeta “Shneta”.
Nga gjashtë kandidatë, tre prej tyre e kanë përfunduar me sukses rekrutimin. E para në listën e pranimit në këtë konkurs A.K. me 84.46 pikë.
Kandidatja në fjalë është bashkëshortja e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Baton Kelmendi, i cili është edhe pjesë e Komitetit për Shëndetësi në këtë parti.
Kelmendi nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës “Shneta” nëse pozicioni i tij politik ka ndikuar në punësimin e bashkëshortes. Për këtë çështje nuk ka folur as bashkëshortja e tij në disa pyetje të dërguara përmes rrjeteve sociale.
Kelmendi në të kaluarën ka qenë një nga kritikët ndaj menaxhimit të ShSKUK-së dhe ndikimeve politike. Në një konferencë të mbajtur në cilësinë e anëtarit të Komitetit të LV-së në gusht të vitit 2019, Kelmendi kishte deklaruar se ShSKUK-ja është shndërruar në zyre të PDK-së.
“Drejtoria dhe bordi ka bërë partizim brutal në ShSKUK. Ky fenomen ka mbërritur kulmin aktualisht. Një ndër arsyet e dështimeve të shumta është mungesa e plotë e kritereve profesionale dhe etike të këtyre personazheve. Ndërtesa e administratës së ShSKUK-së më shumë i përngjan zyrës lokale të PDK-së për lagjen e spitalit se sa një institucioni përgjegjës për të vetmen Qendër Klinike Universitare në vend, dhe të gjitha spitaleve rajonale të Kosovës”, kishte thënë Kelmendi atë kohë kur MSh-ja udhëhiqej nga ministri i PDK-së dhe ShSKUK-ja nga Basri Sejdiu.
Ndryshe Kelmendi është parë në një ndejë bashkë me ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi, vetëm disa ditë pasi kjo e fundit e mori detyrën.
Kelmendi është anëtarësuar në LV në shtator të vitit 2018. Anëtarësimin e tij e kishte bërë publike kryetari i partisë dhe kryeministri i tanishëm Albin Kurti.