Punët po shkojnë fort ngadalë
Bisedë me Kadri Halimin (1)
Në shtëpinë e Kadri Halimit, në prani të bashkëshortes, bisedojmë për jetën e tij, që nga lindja e deri më sot.
Baca Kadri, na tregoni datëlindjen, vendin, emrin e babait, të nënës, sa vëllezër, sa motra i keni?
– Jam i lindur më 9 shkurt 1921 në katundin Cërrnicë, në një familje të madhe. E mbaj mend kur familja jonë kishte 42 anëtarë.
Nëna?
– Nëna ishte nga Sllatina. Babai e ka pasur emrin Muharrem Halimi nga Cërrnica.
Sa fëmijë?
– Unë isha më i madhi vëlla. Kisha edhe dy vëllezër. Kam pasur dhe katër motra.
Emrat e vëllezërve?
– Vëllai pas meje e ka pasur emrin Mehdi. Ai ka dalë për të jetuar në Gjilan. I treti ka qenë Ramadan Halimi. Ai ka vdekur.
Motrat?
– Motra e madhe e ka pasur emrin Fatime. Ajo ka shkuar në Turqi nga Gjilani në vitin 1956. E dyta motër ishte Mevlydja, e treta Nazlija dhe e katërta Eshrefja.
Çka keni mbajtur mend për jetën e prindërve?
– Babai ka marrë pjesë në luftën kundër turqve në Kaçanik. Aty është plagosur në krah. Është dënuar me tetë vjet burg. Burgun e ka vuajtur në Prishtinë. Këtë më ka treguar baba. Më ka treguar si është zënë dhe si është dënuar. Më ka mbetur kujtim përherë. Kështu e kam kuptuar prej tij se si duhet luftuar për atdhe. Mbasandaj, në kohën e Mbretërisë jugosllave, 7-8 vjeç më kanë dërguar në shkollën fillore dhe e kam kryer shkëlqyeshëm. Mësuesi im ka qenë serb i Gjilanit. E ka pasur emrin Branisllav Trajiq.
Ai mësues, sa herë e takonte babin, i thoshte: Djali duhet dërguar edhe më tutje në shkollë, pasi po mëson mirë. Kështu, pasi kuvenduan burrat në shtëpi, vendosën të më dërgonin në gjimnaz, në Medresenë e Madhe në Shkup.
Gjatë asaj kohe, a keni dëgjuar për dhunën serbe mbi shqiptarë? A mbani mend ndonjë rast konkret që ju kujtohet? Keni pasur serbë edhe në fshat? Edhe sot ka?
– Axha i madh ka treguar dhe ato i mbaj mend se si shkiet kanë bërë shumë zullum mbi shqiptarë. Mirëpo gjyshi ka qenë shumë i nderuar edhe prej krejt fshatarëve, serbë e shqiptarë. E mbaj mend se si vinin serbët në odë dhe e ia uronin Bajramin gjyshit. Ndonjë të keqe nuk kemi pasur me ta kurrë. Prej shkollës fillore më dërguan në Medresenë e Madhe në Shkup, si bursist, me shpenzime të shtetit. E dhashë provimin pranues me sukses. Asokohe pushteti mundohej të përfshinte nxënës nga të gjitha rrethet e Kosovës. Nga Rrethi i Gjilanit më pranuan vetëm mua. Aty, kur kam shkuar në Shkup, i kam gjetur Esat Berishën dhe Isak Sherifin nga Gjilani. Aty ka qenë edhe Ramadan Jusufi i Cërrnicës. I kam njohur edhe Idriz Ajetin, Ramiz Ajetin, Zeqir Bajramin e Jusuf Ajetin e Tupallës. Ky ka vdekur. Ka pasur nxënës të Medresesë edhe nga Prizreni e nga Peja.
Sa vjet përpara ishte hapur ajo medrese në Shkup?
– I ka pasur nja 10 vjet.
A i mbani mend emrat e shqiptarëve që janë shkolluar më parë aty?
– Mbaj mend Isakun nga Gjilani, Shaip Mustafën…
Në cilin vit jeni regjistruar?
Në vitin shkollor 1933-’34.
Si bursist i Gjilanit ishit vetëm ju?
– Po. Edhe ata që i përmenda kanë qenë bursistë, por që i kam gjetur aty. Aty jam shkolluar shtatë vjet. Si e kreva maturën, krisi lufta. Bile na lëshuan dhe e ndërpremë mësimin. Më kujtohet si sot, më 6 prill ka filluar lufta. Baba atë ditë kishte ngarkuar do thasë me drithë për të shkuar në mulli. Pikërisht, kur ne po shkonim rrugës me qerre, arritën avionët dhe e bombarduan Ferizajn. Ushtria jugosllave gjuante me artileri dhe qëlloi një avion gjerman. Tymin ia kemi parë kur është përplasur shumë afër në male, këtu te ne, në Cërrnicë. Shumë shpejt kapitulloi Jugosllavia.
Gjatë studimeve, a keni ndonjë kujtim për ndonjë profesor apo si ishte shkollimi? A keni marrë pjesë në demonstrata që janë bërë në Shkup?
– Ajo Medrese ka qenë ndër shkollat më të forta në Jugosllavi. Shkolla jonë dhe një gjimnaz në Zagreb kanë qenë shkollat më të forta në Jugosllavi. Të gjithë medresantët, që kanë mbaruar atë shkollë, kanë dalë intelektualë të fortë, të pajisur me dije. Në këtë medrese i transferonin profesorët më përparimtarë dhe më të fortë, por që i kishin diktuar se ishin në lëvizje komuniste e antifashiste dhe, si dënim, i dërgonin për punë këtu në Medrese. Kështu, ne kemi pasur fat që kemi qenë në atë shkollë. E kam kryer pastaj fakultetin, por nuk kam përfituar asgjë më shumë nga ajo dije që kam marrë në Medrese. Klasën e tetë e kam kryer në Prizren, pas luftës. Në të ’45-tën e kam kryer klasën e tetë me sukses shumë të mirë.
Si keni kaluar me shokë dhe sa keni përjetuar padrejtësi aty?
– Kam pas punuar aty shumë në planin politik, por edhe letrar e kulturor. Aty ka qenë një shoqatë letrare, që i thoshin “Juzhna Villa”. Kuptohet që në shoqatë punohej e mësohej në gjuhën serbe. Aty çdo vit zgjidhej kryetari i ri i shoqatës. Kështu, deshi fati që unë të isha kryetari i fundit i asaj shoqate. I pari ka qenë Edip Hasanagiqi. Atë nuk e kam hasur aty, por kam kuptuar nga shokët.
Me çfarë aktivitetesh merrej ajo shoqatë?
– Merreshim me tregime, vjersha, orë letrare…. Megjithëse kishte shqiptarë, aty vinin edhe shumë boshnjakë nga Sanxhaku e Bosnja.
A dinin këta boshnjakët e Sanxhakut që kanë origjinë shqiptare a jo?
– Disa po, disa jo. Veten e quanin malazias. Kishte boshnjakë me mbiemrat Rexhepagiq, Shaboviq.
Ka pasur individë që pranonin se janë asimiluar. Ata kanë të gjitha traditat shqiptare, që nga zakonet e doket, e deri te dasmat e veshja, dhe e pranojnë se janë asimiluar. Shembulli më i mirë ka qenë Qamil Sijariqi, i cili dajat i ka pasur shqiptarë, nënën shqiptare, edhe e ka mbajtur veten si shqiptar, por nuk deklarohej hapur.
Edhe Radovan Zogoviqi prejardhjen e ka shqiptare!?
– Shoqata letrare mblidhej një herë në muaj. I lexonim punimet tona që i kishim shkruar.
A është afirmuar ndonjë poet nga shqiptarët, pasi e keni kryer shkollën aty?
– Nuk më kujtohet.
Esad Mekuli, a ka qenë në atë shkollë?
– Nuk e di. Zenel Hajdini ka qenë në Medrese. Pasi ai ishte nxënës i shkëlqyeshëm, është liruar nga provimi i maturës. Ka qenë me fytyrë të kuqe. Ai ka qenë talent i madh. Në medrese jam shoqëruar më së shumti me katundarin tim Ramadan Jusufi. Ai ka qenë tri klasa para meje. E mbaj mend gjatë pushimeve verore, kur erdhën mysafirë te Ramadani këta të Tupallës, të gjithë e kishin blerë nga një plis të bardhë. Ishin Idriz Ajeti, Zeqir Bajrami, Isuf Ajeti, Ramiz Ajeti e me ta ishte edhe Rexhë Ibishi. Për midis Gjilanit kaluan me plisa të bardhë. Këta e bënë këtë si një mënyrë demonstrative, duke kaluar përmes Gjilanit për të shkuar në Cërrnicë. Ai moment më është ngulitur thellë në zemër.
A ishit ju në atë muhabet? Çka është folur aty?
– Më së shumti është biseduar për gjendjen e shqiptarëve. Sidomos është biseduar për të mos u shpërngulur në Turqi. Ankoheshin se duhet luftuar shumë më tepër kundër kësaj shpërnguljeje. Populli shqiptar të mos i lërë shtëpitë e veta.
Pasi ishte Idriz Ajeti aty, a eksponohej, a dallohej?
– Jo! Ka qenë njeri i urtë, siç njihet edhe më vonë. Edhe si nxënës ka qenë mesatar. Nuk ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm. Zenel Hajdini ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm.
A keni dëgjuar që si Zenelin, ashtu edhe Abdullahun, i kanë eliminuar shkiet, pasi këta të dytë kanë qenë shumë të aftë? A keni dëgjuar se si ua kanë përgatitur kurthin?
– Kur e kanë rrethuar çetnikët, Zenel Hajdini ka rezistuar. Zeneli ka luftuar me armë në dorë dhe, derisa e kanë vrarë, nuk është dorëzuar. Sigurisht ia kishin përgatitur kurthin.
A e kanë vrarë Zenelin çetnikët, të veshur si partizanë apo si?
– Këtë nuk e di.
A keni qenë në demonstratën që është bërë në Shkup kundër pushtimit italian?
– Po, po. Na thoshin, u shkel Shqipëria. Ne u thoshim se do t’ju vijë radha edhe juve shpejt. Pra, i vjen radha edhe Jugosllavisë. Dhe ashtu ndodhi shpejt. Ne demonstruam kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Krejt ata që e mbanin veten më internacionalistë thoshin se edhe Jugosllavisë i vjen radha. Skënder Kadriu ka qenë shumë i gjallë në atë demonstratë.
Rexhep Bunjaku thotë se Skënderi ka qenë shumë trim dhe nuk kanë guxuar kurrë t’ia kontrollojnë çantën?
– Nuk e di për këtë, por trim dhe guximtar ka qenë.
Gjatë asaj kohe, kur dihet për lëvizjen komuniste, a ka ndodhur të arrestojnë dikë në shkollë?
– Afër Medresesë ka qenë ambasada e Shqipërisë. Ata që shkonin e kontaktonin me ambasadë, nëse i kanë zënë, i kanë përjashtuar nga shkolla. Aty, në konsullatë, merrnin ndonjë libër a gazetë. Më kujtohet që më ka pas rënë në dorë gazeta “Sazani”. Ajo botohej në Francë, por aty e merrnin, në konsullatë. Ka qenë shumë rrezik të shkohet në konsullatën shqiptare. Librat shqip kanë qenë të ndaluar rreptësishtë.
Cili libër lexohej, nëse ju ka rënë në dorë ndonjëherë?
– Nuk më kujtohet ndonjë.
Po demonstrata e Shkupit, si u prit nga populli?
– Ne, që ishim nxënës, nuk na lejonin të dilnim. Na mbanin mbyllur. I patëm kërcyer muret dhe i patëm thyer dyert e patëm dalë krejt në demonstratë. Drejtor ka qenë Ahmet Mehmedbashiq. Ai ishte përgjegjës dhe nuk na lejonte të dilnim, por ne dolëm.
Kur Gjermania invadoi Jugosllavinë, shkolla u mbyll?
– Po, e mbyllën shkollën.
Ajo shkollë më nuk është hapur?
– Jo. Ajo shkollë më nuk është hapur.
Pasi u kthyet në Cerrnicë?
– U vendos ai pushteti shqiptar.
Sa vjeçar keni qenë?
– Njëzetvjeçar. Shkova në Gjilan dhe gjeta punë. Kam pas punuar në postë. Kam qenë telegrafist. Edhe sot e njoh atë punë. Pastaj e lashë punën e u regjistrova këtu në Prishtinë, në degën e Liceut.
Sa vjet keni punuar?
– Më duket dy a tre vjet, po.
A keni njohur dikë në Gjilan dhe a bisedonit me ndokënd, gjatë atyre viteve sa keni punuar aty?
– Këtu në Prishtinë e regjistrova degën e Liceut, por nuk na e pranonin klasën e shtatë. Pasi shkolla qe ndërprerë nga lufta, nuk kishim ndonjë dokument. E bëmë njëfarë si grevë a si protestë, dhe mua më përjashtuan nga shkolla menjëherë, si organizator të asaj greve. Mua më përjashtuan përgjithmonë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Në Shkup Taip Bogiqin e kam pasur kujdestar klase. Ai nuk e duronte fashizmin fare. Pasi shkoi në Sarajevë, iku për Turqi dhe më vonë ishte bërë profesor universiteti dhe ka vdekur atje. Gjatë deklarimit të përkatësisë kombëtare asokohe, profesorët, si për mahi, na kanë pyetur ndonjëherë për përkatësinë kombëtare, por jam deklarua “arrnaut”. Të tjerët deklaroheshin crnogorac a srbin. Unë një herë thashë jam albanez.
Pasi ju përjashtuan në Prishtinë nga shkolla, çka bëtë pastaj?
– Jam kthyer në Gjilan dhe kam filluar punën në postë.
Gjatë kësaj kohe, sa ishit në Gjilan, a kontaktonit me ndokënd, a bisedonit për situatën?
– Po, kam pasur shokë, sigurisht.
Cilët janë ata?
– Me Halil Fejzullahun, nga Tygjeci. Edhe ai punonte në postë. Ai nuk ka pasur lidhje me punën që mori, por ashtu ishte koha. Ai nuk kishte përcaktim politik dhe mua ma kanë dhënë si obligim për ta përvetësuar atë.
Po na tregoni si u bëtë komunist? Gjatë shkollimit në medrese apo?
– Jo, në medrese kam qenë SKOJ-ist.
Kush ju ka angazhuar në këtë drejtim në Medrese, dhe me cilin keni rënë në kontakt?
– Po nuk e di, por vinin studentë nga fakulteti filozofik i Shkupit dhe ashtu ramë në kontakt.
Ishte ai njeri serb apo shqiptar?
– Jo, serb ka qenë. Aty më pranuan në SKOJ. Si anëtar i SKOJ-it kam qenë prej vitit 1939.
A keni paguar anëtarësi apo jo?
– Jo!
Keni marrë ndonjë dokument apo programin?
– Jo!
A keni formuar celula të partisë në Gjilan?
– Aty, kur e kemi formuar celulën e partisë në Gjilan, kanë qenë të pranishëm Isak Berisha, Vesel Rexhepi, Vebi Rexhepi. Insistimi ishte të bëhen bashkë serbët e shqiptarët, por ne e bëmë celulën, por pa serbë, sepse ata nuk donin të bashkoheshin me shqiptarë.
Kush ishte kryetar?
– Kurtesh Agushi ka qenë. Ai ka qenë anëtar partie prej ’38-tës. Në atë kohë, kur dilnin partizan, i caktonte partia. Edhe Xheladin Kurbalia i Karadakut, ka qenë shumë i zoti dhe patriot i madh.
A ka qenë e domosdoshme të pranohen disa serbë? Milladini, Dizdareviqi e misionarë të tjerë? A ka qenë e detyrueshme që ata t’i pranojë Enver Hoxha, apo?
– Përmes Partisë Komuniste të Italisë është bërë përpjekje të bëhet pranimi i Shqipërisë në Kominternë. Pa u pranuar në Kominternë, nuk ke mundur të dëshmosh se i takon lëvizjes komuniste. Por, lidhjen në Kominternë, Shqipërisë ia ka mundësuar Partia Komuniste e Jugosllavisë. Përmes Partisë Komuniste të Italisë nuk ka mundur të realizohet kjo lidhje. Ka tentuar Qemal Stafa, por nuk ia ka dalë. Kështu, jugosllavët, kinse në emër të autorizimit nga Kominterna, janë futur në Shqipëri.
Çka ndodhi në Konferencën e Pezës? Pasi ka reaguar ashpër Milladini, ka folur Ymer Dishnica. Thuhet se me insistimin e Milladinit është prishur marrëveshja e Mukjes?
– Unë kam pasur rast të takohem atje me njerëz kompetentë, por këtë nuk ma kanë thënë. Këta të Ballit brenda strukturave të tyre kishin lloj-lloj njerëzish. Ata kanë bërë gjëra të këqija. Në shumicën e rasteve vetëm kanë ngrënë e kanë pirë raki. Ashtu edhe kanë vrarë edhe djem të rinj, akoma të mitur, krejt me akuzë se ata janë ndikuar nga komunistët. Krejt puna ka qenë te ndarja e pushtetit pas luftës. Kur dihet se krejt luftën e kishin bërë partizanët, aty thuhet se partizanët nuk pranojmë që ballistët të na e fëlliqin luftën, pasi ata nuk kanë bërë asnjë luftë kundër pushtuesit dhe vetëm kanë bashkëpunuar me okupatorin. Edhe UÇK-ja bëri gabim që pranoi ndarjen e pushtetit me LDK-në. Rugova ka thënë burgosni këta. Në një rast Sali Berisha ka thënë, thuaj Aliut, largoje djalin, ose s’kemi çare pa e burgosur. Në Shqipëri i kanë burgosur ushtarët e UÇK-së si terroristë. Njerëzit tanë nuk mund të krahasohen me banditë të Shqipërisë e të burgosen e trajtohen ashtu, sepse nuk kanë asnjë lidhje me ta. Rugova duhet të dënohet për formimin e politikës pacifiste, që i ka shkuar në favor Jugosllavisë. Ndarja e pushtetit mes UÇK-ës dhe LDK-së do të na kushtojë shumë. Prandaj edhe Enveri atëherë nuk pranoi ta ndante pushtetin me ballistët e Shqipërisë.
Baca Kadri, ju deklaruat se u formua Partia Komuniste Shqiptare në Gjilan. A pati bashkëpunim me serbë ndonjëherë?
– Jo.
Keni bërë parti Komuniste e nuk janë bërë bashkë shqiptarët me serbët! Si e shikonit ju këtë? Kush ishte kryetar i grupit serb aty?
– Njëfarë Popoviqi ka qenë. E kam njohur. Ai Popoviqi ka qenë sekretar i komitetit të rrethit të Gjilanit. Sipas përshtypjes sime, ai ka qenë shumë i drejtë. Njëherë, duke shëtitur në korzo, i thashë, çka ta merr mendja, se nga do të shkojë tash Kosova? Ai po thotë, pasi shumica janë shqiptarë, do të shkojë me Shqipëri. Megjithatë, unë nuk u kam besuar kurrë serbëve. Edhe pse kam qenë në lëvizje, gjithmonë i kam shikuar me dyshim.
Vetë fakti që nuk donin të bashkoheshin në të njëjtën parti, dëshmon diçka?
– Serbët nuk kanë bërë kurrfarë aksioni asnjëherë. Shqiptarët kanë bërë aksione. Kemi shkruar parulla, kemi shpërndarë afishe, trakte. Personalisht më kanë autorizuar t’i shpërndajë do afishe. Erdhi një ditë të shfaqej një film. Ka qenë kinema lëvizëse. E mora obligim t’i çoja ato letra te italianët në kinema. I çova. Edhe disa afishe i çova në prefekturë. Kur më takoi Rifat Berisha, më tha: kush i vuri ato? I thashë, unë. Rexhepi ka mbajtur lidhje me serbë. Unë kam punuar haptas nëpër Gjilan. Kam folur e kam bërë propagandë. Kur e ndërruan Rifat Berishën, e prunë nënprefekt Miftar Spahiun. Menjëherë më kanë burgosur. Ai ka qenë profesor i historisë dhe më ka mësuar mua. Kur erdhi nënprefekt, të parin më burgosi mua.
Sa ditë qëndruat në burg?
– Tre muaj. Si element turbullues.
Kush ju liroi?
– Baca Ramiz. Nuk di a ka dhënë ryshfet a jo. Kur e kam pyetur, më ka thënë se vetëm një pushkë ia ka dhënë dikujt, si nderim për lirimin tim.
Ku ishte në detyrë baca Ramiz?
– Në Partesh. Aty gjithmonë ka qenë, dhe nuk e ka lëshuar detyrën deri në fund.
Si kanë qenë marrëdhëniet e Ramizit me Hysenin (Tërpezën)?
– Të mira kanë qenë. Sa kam kuptuar. Hyseni e ka ftuar të iknin për Greqi, por Ramizi nuk ka pranuar. Ka thënë çdoherë, se do të vdes këtu.
Ymer Mollën dhe një partizan çek i kanë pushkatuar në Gjilan. Ai Ymer Mala ishte, por e kishin shënuar ashtu gabimisht “Molla”, serbisht i kanë përzier germat. Të tjerët, kur i kanë zënë, shumë kanë qenë serbë, asnjë nuk e kanë vrarë. Ata dy i ka pushkatua Shefki Gosalci. Thoshin se këta të dy kanë bashkëpunuar me shkie.
A vazhduat punën akoma, a jo?
– Po, more.
Ai kryetari, a jua lëshoi “zagarët” për t’ju ndjekur?
– Paj, sigurisht më kanë ndjekur, por nuk ua kam vënë mendjen.
A e zgjeroi aktivitetin celula juaj komuniste?
– Po, po! Sidomos te të rinjtë.
A kryenit ndonjë aksion?
– Po. Kryesisht vepronim në planin propagandistik. Ka qenë aktiv njëfarë Hasan Dylxheri nga Elbasani, që pati ardhur këtu për të punuar.
Mbas çlirimit, mua më bënë sekretar të bashkisë së Gjilanit.
Kur kanë hyrë partizanët, keni mbajtur një fjalim aty? Mos nuk u pëlqeu diçka atyre që ishin aty? Sa vjeç ishit atëherë?
– Isha 23 vjeç. U desh të flisja edhe unë. T’i thosha popullit të mos frikoheshin. Patën filluar menjëherë pushkatimet. I merrnin njerëzit natën.
Ploja e njohur e shqiptarëve në Gjilan?
– Atë ditë që e kanë sulmuar Gjilanin, unë ika nga qyteti, shkova në Cërrnicë.
Derisa kaloi ajo furtunë.
Sa janë vrarë, që ju e keni ditur, afërsisht?
– Pasi hynë shqiptarët, pastaj brigadat partizane, rrugëve kam parë duke bartur kufoma me qerre. Unë shpëtova, s’di pse!
Kur ju emëruan sekretar të bashkisë, a ishit i vetëdijshëm se çka po pranonit?
– Po, fort isha i vetëdijshëm dhe mendoja të ndihmoja për të shpëtuar njerëzit. I kërkonin të gjithë ata që kishin qenë në detyra gjatë pushtimit fashist, me akuza se janë fashistë.