Punëtorët ankohen për mosdhënie të pagave e largim nga puna
Të pakënaqur me trajtimin që iu është bërë nga punëdhënësit në vendin e punës në kohë të pandemisë, dhjetëra punëtorë i janë drejtuar Inspektoratit të Punës. Përveç ankesës për mospajisje me mjete mbrojtëse, kohët e fundit janë shtuar edhe ankesat për ndërprerjen e marrëdhënies së punës e mosdhënie të pagave.
Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Valon Leci, ka thënë për Koha Ditore se gjatë kësaj kohe kanë pranuar një varg ankesash, por që nuk ka dhënë shifra për numrin e tyre. “Deri në fillim të muajit maj 2020 tërë kapacitetet tona inspektuese i kemi përqendruar në inspektime që lidhen me aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë, sepse bazuar në legjislacionin në fuqi, por edhe vendimet e Qeverisë së Kosovës, aspekti shëndetësor ka qenë prioritet”, ka thënë Leci.
Edhe pse thotë se masat për parandalimin e pandemisë COVID-19 janë respektuar, relativisht mirë ka pasur ankesa nga ana e punëtorëve. “Ankesat fillimisht kanë pasur të bëjnë me pajisje personale mbrojtëse. Tani së fundi kemi pranuar edhe ankesa që lidhen me marrëdhënien e punës dhe atë kryesisht me mosdhënie të pagave, dhënie të pushimit vjetor pa pagesë nga ana e punëdhënësit, por edhe me ndërprerje të marrëdhënies së punës”, ka thënë Leci.
Pas lehtësimit të masave nga ana e qeverisë, ai ka thënë se do të fillojnë edhe me trajtimin e ankesave që lidhen me marrëdhënien e punës me një intensitet më të lartë. Por, ai nuk ka dhënë shifra se sa është numri i ankesave që kanë pranuar gjatë kësaj periudhe.
Ka thënë se aktualisht janë në fazë të mbledhjes së ankesave të kësaj periudhe dhe se ende nuk kanë kaluar në fazën e shqiptimit të gjobave. Leci ka thënë se të gjithë inspektorët janë në terren duke u marrë me parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.