Punëtorët dhe pronarët e Korporatës HIB dhurojnë gjak
Korporata HIB, njëra ndër korporatat më të mëdha dhe tatimpaguesi më i madh në Kosovë, sot ka njoftuar se pronarët bashkë me dhjetëra punëtorë të korporatës i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për dhurimin e gjakut.
Korporata HIB në bashkëpunim me Qendrën e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, ka organizuar dhurimin e gjakut nga punëtorët dhe menaxhmenti i korporatës, si përgjigje ndaj fushatës vetëdijesuese për dhurimin vullnetar të gjakut, që do të shërbejë për trajtimin e rasteve në nevojë në qendrat emergjente spitalore. “Misioni ynë shkon përtej ofrimit të produkteve dhe shërbimeve më të mira për qytetarët e Kosovës. Ne duam të shërbejmë si një model i qytetarit të përgjegjshëm korporativ. Punëtorët dhe menaxhmenti ynë janë gjithnjë të gatshëm për kontribut dhe mbështetje për njerëzit në nevojë, duke përfshirë këtu edhe dhurimin vullnetar të gjakut”, ka thënë Hysen Lajqi, drejtor ekzekutiv në Korporatën HIB.
Dhurimi i gjakut është pjesë e aktiviteteve të shumta të përgjegjësisë sociale të cilat Korporata HIB është duke i ndërmarrë përgjatë viteve, në mbështetje të qytetarëve, institucioneve dhe organizatave me karakter publik në vendin tonë.