Punëtorët e aeroportit nga e hëna hyjnë në grevë

15 gusht 2019 | 12:01

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë vendosur që të hyjnë në grevë më 19, 20 dhe 21 gusht.

Nëpërmjet një njoftimi për medie Sindikata e Aeroportit “Adem Jashari” ka bërë me dije se pas shumë përpjekjeve për të dialoguar me menaxhmentin rreth kërkesave të tyre, këta të fundit nuk kanë treguar gatishmëri për dialog.

“Ju njoftojmë se pas shumë përpjekjeve dhe kërkesave të shumta drejtuar menaxhmentit të aeroportit për të dialoguar dhe për t’i zgjidhur çështjet tona në mënyrë paqësore, deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë ftesë apo gatishmëri nga ana e menaxhmentit për të dialoguar. Ne kemi shterur të gjitha mënyrat dhe mundësitë paqësore për dialog. Punëtorët janë të vendosur në kërkesat e tyre për çka edhe kanë vendosur përmes delegatëve të tyre të shkojnë në grevë, siç kemi paralajmëruar në protestën paqësore të mbajtur javën e kaluar më 8 gusht se më 19 gusht  do të kemi grevë njëorëshe duke filluar prej orës 8:00 deri në orën 09:00 sipas kohës lokale dhe më 20 gusht grevë dyorëshe duke filluar prej orës 08:00 deri në orën 10:00, si dhe më 21 gusht do të mbajmë grevë gjithëditore”, është thënë në njoftimin e kësaj sindikate.

Sipas këtij njoftimi, në grevë do të marrin pjesë të gjithë punëtorët e shërbimeve që nuk janë të rëndësisë jetike.

Sindikalistët e Aeroportit “Adem Jashari” kanë ftuar menaxhmentin që të koordinohet me këtë sindikatë për të caktuar minimumin e shërbimeve në mënyrë që të garantohet siguria dhe të evitohet çfarëdo rrezikimi i jetës dhe sigurisë.

Gjithashtu, në këtë njoftim është theksuar se greva do të ndërpritet në ndonjë rast emergjent.

Sindikata e Aeroportit “Adem Jashari” edhe njëherë ka ftuar menaxhmentin në dialog, në mënyrë që greva të ndalohet.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kostume me të cilat mund të fluturosh, dronë në miniaturë,…