Punëtorët e “Infrakos”-it protestojnë të premten, kërkojnë rrogat e shtatorit e tetorit
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të “Infrakos”, Hysen Nikqi, pas mbledhjes së mbajtur me 6 nëntor ka treguar se kanë vendosur që të protestojnë të premten nga ora 08:00-të në mëngjes deri në orën 09:00-të, duke qenë se punëtorët e kësaj kompanie s’i kanë marrë pagat e muajit shtator dhe tetor.
Sipas tij, kërkesë kryesore e kësaj proteste do të jetë që kompania t’i paguaj pagat e punëtorëve për këta dy muaj, si dhe do të kërkohet që të shlyhet edhe borxhi i Trustit Pensional dhe të vazhdohet me pagesat e rregullta.
Njoftimi i plotë i Nikqit:
Kryesia e Sindikatës së Pavarur e “Infrakos” në mbledhjen e fundit të mbajtur 06.11.2019 në Fushë Kosovë ka shqyrtuar situatën aktuale në kompani dhe pas shumë diskutimeve dhe shprehjeve të pakënaqësive te të gjithë punëtorëve të kësaj kompanie, u vendos për mbajtjen e një proteste paralajmëruese 1 (një) orë në Fushë Kosovë. Protesta do të mbahet me datën 08.11. 2019 nga ora 8:00 deri në ora 9:00 përpara stacionit të trenit në Fushë Kosovë.
Kërkesat e punëtorëve janë: Të paguhet rroga e plotë e Shtatorit dhe rroga e muajit Tetor menjëherë; Të paguhet borxhi i Trustit Pensional dhe të vazhdohet pagesa e rregullte mujore; Të pajisen punëtorët e shërbimit ekzekutiv me uniforma dhe rroba mbrojtëse; Të behët pagesa e borxheve të anëtarësisë së Sindikatës për muajt e kaluar të vitit 2019.
Situata e rëndë në të cilën gjendet kompania, nuk është për shkak të mospunës së punëtorëve, andaj Ju si menaxhment jeni të obliguar ti plotësoni kërkesat e punëtorëve të cilat ju garantohen me ligj dhe për të cilat kanë nënshkruar kontratë të dyanshme, dhe si pasojë e kësaj klasa punëtore është duke i vuajtur pasojat, andaj edhe mos pagesa e pagave por edhe e këtyre kontributeve e rëndon edhe ma thellë situatën ekonomike të punëtorëve të cilët po kanë vështirësi edhe për ardhje dhe kthim nga puna.
Protesta do të përfaqësohet nga të gjithë punëtorët e INFRAKOS-it dhe do të zgjasë një orë dhe nëse nuk ka reflektim nga menaxhmenti, protestat e radhës do të vazhdojnë edhe të Hënën me 11.11.2019 nga ora 8:00 deri në ora 10:00, për të vazhduar edhe të Martën me 12.11.2019 nga ora 8:00 deri në ora 12:00.