Punëtorët e KEK-ut thonë se protestat janë të pashmangshme
Nënkryetari i sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, konsideron se protestat janë të pashmangshme si formë për realizimin e kërkesave të tyre.
Ai ka thënë se “ata nuk përtojnë të hyjnë në protesta e greva kur është në pyetje realizimi i së drejtës së punëtorëve të KEK-ut”.
“Siç po shihet protesta dhe greva është e pashmangshme për t’i realizuar kërkesat tona! Është një fjalë e popullit: ‘kishe po kanë mendje vetë’ se na nuk kemi qejf, por edhe nuk përtojmë t’i bëjmë protestat e grevat”, ka thënë ai.
Situata me pandeminë e ka vështirësuar punën në Korporatën Energjetike të Kosovës. Infektimet e stafit me këtë virus dhe lirimi nga puna i punëtorëve me sëmundje kronike e kanë vënë në pah mungesën e punëtorëve në këtë kompani.
Mbi 170 punëtorë aktualisht nuk janë në vendet e tyre të punës shkaku i masave. Prej tyre 71 aktualisht janë të infektuar me këtë virus, 21 në izolim dhe 80 të liruar nga puna, shkaku i sëmundjeve kronike.