Punëtorët e kontrollit ajror protestojnë kundër Ligjit të pagave
Sindikata e Kontrolleve të Trafikut Ajror dhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Kontrollit Ajror, kanë njoftuar që në shenjë pakënaqësie ndaj mospërmbushjes së kërkesave në Ligjin për paga, nga sot do të ofrojnë vetëm shërbim bazik.
Sipas sindikatave të gjithëve aeroplanëve komercial nuk do t’i ofrohet asnjë shërbim shtesë që do të rezulton me shkurtimin e kohës së fluturimit, dhe kështu çdo fluturim do të vonohet së paku 20 minuta në shkuarje dhe në ardhje.
“Ky është vetëm hapi i parë në shenjë proteste i kontrollorëve deri në realizimin e kërkesave tona të vetme për largimin nga ligji i pagave i Agjencisë të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, i cili është agjencion me të ardhura vetanake dhe që duhet të qëndrojë i pavarur sipas të gjitha praktikave dhe ligjeve të Bashkimit Evropian”, kanë njoftuar Sindikata e Kontrolleve të Trafikut Ajror dhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Kontrollit Ajror
Të dy sindikatat i kanë kërkuar presidentit Thaçi që ta kthejë në rishqyrtim Ligjin për paga në mënyrë që Kuvendi të bëjë ndryshime e kërkuara.
Po ashtu, ato kanë paralajmëruar se nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre, do të detyrohen të kalojnë në hapat më radikal, duke mos përjashtuar edhe grevën që do ta mbyllte të vetmen portë ajrore të Kosovës për trafikun komercial.