Punëtorët e ‘Kosova Thëngjillit’ protestojnë para qeverisë, fajësojnë Albin Kurtin dhe Nagip Krasniqin
Dhjetëra punëtorë të “Kosova Thëngjillit” kanë protestuar të mërkurën para ndërtesës së Qeverisë, në shenjë pakënaqësie për ndërprerjen e kontratës që dy vjet.
Shkak i ndërprerjes së kontratave, qindra punëtorë kanë mbetur barrë e qeverisë, ndërsa ata kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Zaim Maxhuni, anëtar i Bordit në “Kosova Thëngjill”, në një prononcim për “Ekonomia Online”, ka thënë se arsyeja e kësaj proteste është vazhdimi i kontratës. Ai i ka bërë thirrje ekzekutivit që t’i marrë për bazë kërkesat e tyre.
“Arsyeja që kemi dalë me protestuar është që t’i bëjmë thirrje qeverisë, njëkohësisht edhe KEK-ut që të na punësojnë. Që nga 1 korriku i vitit 2022 ne nuk jemi duke punuar. Arsyet siç po thonë se kinse kontrata ka skaduar. Ish-drejtori i KEK-ut ka thënë se ‘nuk e shkeli ligjin’ edhe pse kemi vazhduar me kontrata prej vitit 2003 që jemi ndarë nga KEK-u, ku KEK-u na ka shit thëngjill e ne e kemi plasuar në treg, kemi shit tek konsumatorët për treg privat dhe biznese por tash arsyet siç thoshte ish-drejtori i KEK-ut që nuk e shkeli ligjin por ai e shkeli ligjin se më vonë i dolën aferat korruptive që ne nuk i dimë. Kosova Thëngjilli është një organizatë profitabile me 1 milion euro qarkullim mujor ka pasur edhe mbi 40 veteranë të UÇK-së kanë qenë aty e që nga ajo kohë kur është ndalë puna, ata u janë bërë barrë qeverisë”, ka thënë Maxhuni.
Maxhuni ka thënë se kanë kërkuar disa herë takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, por që ky i fundit nuk i ka marrë për bazë kërkesat e tyre. Ka thënë se takim kanë pasur me këshilltar të tij e me ministren, Artane Rizvanolli.
“Kryeministri nuk na ka pranuar asnjëherë. Kolegët kanë hyrë në takim por nuk e dimë me kënd janë takuar. Jemi takuar me këshilltarë të kryeministrit, na kanë dërguar te Ministria e Ekonomisë. Jemi takuar edhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli herën e kaluar, mirëpo asnjë premtim nuk kemi pasur. Ne veç kemi dalë me kërkuar punë e jo lëmoshë”, është shprehur Maxhuni.