Punëtorët e KRM ‘Çabrati’ përmes grevës kërkojnë mosshkarkimin nga bordi të kryeshefit të tyre
Greva e organizuar sot nga punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Çabrati” Sh.A., Gjakovë, sipas organizatorëve ka për qëllim të bëjë tërheqjen e vëmendjes së Aksionarit-Komunës së Gjakovës që të mos ndërhyjë në çështjet e organizimit të brendshëm të menaxhmentit, përkatësishtë mos shkarkimit të Kryeshefit Ekzekutiv përmes Bordit të Drejtorëve.
Kjo për faktin se Komisioni Komunal i Aksionarëve me datë 12.11.2019, ka nxjerrë vendim për shkarkimin e katër anëtarëve të BD të kësaj Ndërmarrje. Ky shkarkim ka ndodhur pas prishjes së koalicionit qeverisës AAK-PDK në komunën e Gjakovës. Më pas Aksionari ka shpallur konkurs për zgjedhjen e Bordit të ri, i cili me datë 08.01.2020 pas përfundimit të konkursit ka shpallur emrat e anëtarëve të përzgjedhur.
Punëtorët e KRM “Çabrati” Sh.A., pas këtyre veprimeve që kanë ndodhur në kohët e fundit, si dhe duke ndëgjuar opinione që qarkullonin në qytetin e Gjakovës se shkarkimi i Bordit dhe emërimi i anëtarëve të ri të BD-së, po bëhet me qëllim të shkarkimit të Kryeshefit Ekzekutiv, kanë inicuar organizimin e kësaj greve për të tërhequr vëmendjen që të mos ndërmirret ndonjë veprim i tillë nga Bordi i ardhshëm. Greva sot ishte dy orëshe dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në marrjen e një përgjigje nga Aksionari që garanton se nuk do të mirret asnjë veprim nga Bordi i Drejtorëve që ka për pasojë shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv.
Ky revoltim i tyre vjen si arsye siç deklarojnë organizatorët e grevës, se Ndërmarrja në këtë kohë është në gjendje shumë të mirë duke bërë progres finaciar, si dhe duke i’u ofruar kushte të mira të punës. Me rritjen e pagës bazë për dy herë që nga menaxhimi i Ndërmarrjes nga KE Berat Hadri, nga periudha tetor 2018 deri më tani janar 2020, me pagesat e orëve të punës shtesë të cilat më përpara nuk u janë paguar, me shpërblime përmes bonuseve për fund vit, pastaj ajo çka është më rëndësi përmirësimi i gjendjes financiare, duke krijuar një stabilitet nga ajo gjendje e rëndë financiare që ishte, me mbi 80 mijë euro borxhe ndaj furnitorëve, të cilat gjatë kësaj periudhe përveç që janë arritur të shlyhen të gjitha, Ndërmarrja ka arritur që të akumulojë mbi 70 mijë euro në llogarinë e saj. E gjithë kjo falë punës dhe menaxhimit të mirë që është bërë gjatë kësaj periudhe. Është rritur faturimi dhe inkasimi dhe gjithashtu është rritur edhe numri i ekonomive familjare dhe bizneseve që janë regjistruar dhe j’u kryhen shërbimet nga KRM “Çabrati” Sh.A.
Keshtu që duke parë të gjithë këtë progres që ka bërë Ndërmarrja dhe duke krahasuar gjendjen e mëhershem si ka qenë, ka shtyer të punësuarit e kësaj Ndërmarrjejë që të inicojnë këtë grevë-protestë nga frika e shkatërrimit të Ndërmarrjes përmes ndërhyrjeve në menaxhim të brendshëm nga Aksionari përmes Bordit të Drejtorëve me qëllime tendencioze, e të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e punëtorëve të kësaj Ndërmarrje dhe gjithashtu ndikon edhe në ofrimin jo të duhur të shërbimit të qytetarëve, në mirëmbajtjen dhe pastrimin e qytetit dhe ambientit në përgjithësi.
Prandaj punëtorët e KRM “Çabrati” SH.A., Gjakovë janë shprehur kategorikisht kundër ndërhyrjeve tendencioze dhe qëllimkeqe që do të ndikonin në punën dhe veprimtarinë e Ndërmarrjes, përmes shkarkimit të Kryeshefit Ekzekutiv thuhet në një njoftim të këshillit grevist të kësaj ndërmarrje.