Punëtorët e Llamkosit protestojnë kundër shitjes së fabrikës pa kushte
Punëtorët e fabrikës “Llamkos”, në Vushtrri do të organizojnë sot një protestë për të kundërshtuar shitjen e kësaj fabrike pa kushte.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, ka thënë se reagimi i punëtorëve ka ardhur pas vendimit të fundit të Gjykatës Ekonomike që ndërmarrjen “Llamkos” ta vërë në shitje pa kushte.
“Ne kemi trokitur në çdo institucion. Së fundmi kemi qenë edhe te disa deputetë edhe atyre ju vjen keq për gjendjen. E vetmja shpresë për ne është te Kuvendi i Kosovës që ta anulojë vendimin për shitje pa kushte. Ne jemi që të shitet fabrika, por ajo të vazhdojë të prodhojë llamarinë të zinkuar dhe jo t’i ndërrohet destinimi. Mirëpo, administratorit të fabrikës e vetmja gjë që i intereson është ta shesë fabrikën”, ka thënë Ragip Hasani, në emisionin “Studio e Hapur” në RTK 3.
Ai ka thënë se menaxhmenti ua ka borxh nga 10 paga, por sipas tij punëtorët janë të gatshëm t’ua falin këtë borxh vetëm që të fillojë prodhimi. “Pra kërkesa jonë e vetme është që fabrika të mos shitet për hekur, por të riaktivizohet. Që pesë vite kjo fabrikë ka mbetur në mëshirën e Zotit”, ka shtuar Hasani.
Protesta do të mbahet sot në ora 13:00 para Komunës së Vushtrrisë.