Punëtorët e Lotarisë së Kosovës protestojnë të hënën
Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës ka njoftuar se punëtorët e saj do të protestojnë të hënën me kërkesën për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës. Sipas njoftimit të sindikatës, protesta nis në orën 11:00 para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Gjithashtu paralajmërojmë se do të vazhdohet me protesta gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët tanë mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur. Punëtorët tanë momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme përderisa u bë një vit që s’kanë pranuar pagë, e sidomos në përballje me luftimin e Pandemisë Covid-19 që edhe më tepër e ka rënduar gjendjen e tyre”, thuhet në njoftimin për media.
Sindikata e Lotarisë së Kosovës ka ftuar të gjitha mediat të jenë të pranishme, si dhe i bën thirrje publike Qeverisë së Kosovës që të përmbush premtimin dhe obligimin që e ka ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.