Punëtorët e Lotarisë sërish në protestë

12 korrik 2019 | 14:16

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës, të hënën do të mbajnë protestën e tretë me radhë përpara Qeverisë së Republikës së Kosovës, me kërkesën që të mbahet premtimi nga institucionet për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës.

Po ashtu, ata po kërkojnë që punëtorët të marrin pagat, pasi qysh nga muaji prill kur janë ndaluar lojërat e fatit ata nuk janë paguar.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë deklaruar se protestat e tyre do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.  “Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Seancën e mbajtur me 28.03.2019 ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj. Nga ajo kohë e deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar. Punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të Institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave. Protesta do të mbahet të hënën me datë 15 korrik 2019 në ora 11:00 para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë të miratimit të ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës. Protesta e paralajmëruar do të vazhdohet gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të Lotarisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën për medie të Lotarisë së Kosovës.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten është bërë vënia e gurthemelit të xhamisë në…