Punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”, sot protestojnë para Komunës së Prishtinës
Punëtorët e Kompanisë “Pastrimi” do të protesojnë sot para Komunës së Prishtinës, me fillim nga ora 10:00.
Ata do të protesojnë pasi ndihen të cënuar për humbjen e vendeve të punës, pas tenderit në vlerë prej 16 milionë e 400 mijë euro që shpalli Komuna e Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, që e çon këtë ndërmarrje drejt falimentimit.
Ditën kur u shpall ky tender, Reçica, tha se Kryetari i Komunës, Përparim Rama dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, po marrin hapa që çojnë drejt falimentimit të kompanisë publike “Pastrimi” dhe se po rrezikojnë vendet e punës të 900 punëtorëve.
Reçica tha se pas skadimit të kësaj kontrate, kryeqyteti do të kthehet në pikën zero sa i përket trajtimit të mbeturinave.
“Me publikimin për kontraktimin e kompanive private për mbledhjen e mbeturinave në 6 llote për vlerën 16.5 milionë euro Komuna e Prishtinës po bën një hap të qartë drejt margjinalizimit të Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi,” duke rrezikuar drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e saj. Kjo ndërmarrje, me 900 punëtorë në nivel rajonal, prej të cilëve 300 në Prishtinë, është një shtyllë e rëndësishme e shërbimeve publike për qytetarët. Me këtë veprim po tentohet të shpenzohen 16.5 milionë euro vetëm në shërbim me 0 investime kapitale, çka nënkuptohet që Kryeqyteti pas skadimit të kontratës do të kthehej në pikën zero sa i përket trajtimit të mbeturinave”, shkroi Reçica.
Ai bëri thirrje që të anulohet tenderi, teksa veprimet e Ramës i quajti të papërgjegjshme.
“Vendimet e Komunës duket se synojnë falimentimin e KRM Pastrimi dhe privatizimin e shërbimeve thelbësore për qytetarët, duke minuar parimet e menaxhimit transparent dhe efektiv të mbeturinave. I bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës Përparim Rama, që të ndalojë këto veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë qindra vende pune dhe të rikthejë fokusin te mbrojtja e interesit publik. Gjithashtu, kërkojmë një qasje të drejtë për mbështetjen e KRM “Pastrimi”, si një ndërmarrje publike rajonale me më shumë se 67 vite ekzistencë dhe e cila ka shërbyer me përkushtim për vite me radhë”, thuhet në reagim.
Tenderi është i ndarë në gjashtë lote, derisa kohëzgjatja e kontratës është për 36 muaj apo tri vjet.
Afati për dorëzim të ofertave për këtë tender është deri më 30 dhjetor, në orën 14:00.
Për Llotin 1, do të angazhohen 30 punëtorë, për Llotet 2, 3,4 dhe 5 nga 20 punëtorë, derisa për Llotin 6 do të angazhohen 25 punëtorë, shkruanReporteri.net.
“Për kryrjen e punëve efikase të punëve në fushën e menaxhimit të mbeturinave, pastrimit të shtratit të lumenjëve, pastrim të kanalizimeve dhe mirëmbajtjes së rrugëve OE duhet ti plotësojë këto kushte OE-ik duhet të ofroj dëshmi të mjaftueshme se ka realizuar shërbime për grumbullim të mbeturinave (menaxhim me mbeturina) apo edhe shërbime të ngjashme (mirëmbajtje verore, dimërore e hapësirave, pastrimi i shtratit të lumenjëve, mbledhja dhe largimi i mbeturinave, trajtimin e deponive ilagele, pastim të kanalizimit në 3 vitet e fundit (duke filluar nga data e publikimit te njoftimit për kontratë) minimum LLOTO 1- 8,100,000.00€. LLOTO 2-4,500,000.00€. LLOTO 3-4,050,000.00€. LLOTO 4-1,800,000.00€. LLOTO 5-1,800,000.00€. LLOTO 6- 4,500,000.00€”, thuhet tek kriteret.