Punëtorët e Postës së Kosovës do të hyjnë nesër në grevë
Përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve të Postës së Kosovës, nesër ( e premte, 6 korrik 2018) nga ora 13:00 deri në orën 14:00, të gjithë punëtorët do të hyjnë në Grevë të Përgjithshme. Ndërkaq, gjatë kësaj kohe do të mbyllen të gjitha Zyrat Postare, në tërë territorin e Kosovës.
“Ju njoftojnë se nesër ( e premte, 6 korrik 2018) nga ora 13:00 deri në orën 14:00, të gjithë punëtorët do të hyjnë në Grevë të Përgjithshme. Gjatë kësaj kohe do të mbyllen të gjitha Zyrat Postare, në tërë territorin e Kosovës. Kjo grevë njëorëshe është vetëm hapi ynë i parë sindikal që do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të PK Sh.A”, është thënë në njoftimin për medie të Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, aktiviteti i tyre, nuk do të ndalet deri në realizimin e të gjitha kërkesave të mëposhtme: Pagesa e menjëhershëm e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës, si obligim ligjor, për humbjet në Shërbimin Universal Postar. Implementimi i strategjisë së dërguar nga Posta e Kosovës në Qeveri, e cila garanton stabilitet afatgjatë financiar për ndërmarrjen. Të ndalohet favorizimi i operatorëve privatë për faktin se shërbimet e njëjta Qeveria mund t’i kryej me ndërmarrjen e vet, Postën e Kosovës, me kualitet më të lartë e me kosto më të ultë. “Greva organizohet për shkak se punëtorët e Postës ende nuk i kanë marrë pagat si pasojë e mos realizimit të obligimeve të Qeverisë dhe institucioneve të tjera ndaj Postës së Kosovës. Për veprimet e ardhshme sindikale do të ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.