Punëtorët e Telekomit angazhojnë avokatë ndërkombëtarë për kontratat e dyshimta

13 janar 2021 | 14:55

Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë angazhuar avokatë ndërkombëtarë në mënyrë që të përgatisin lëndën për t’i dërguar në Kushtetuese kontratat e dyshimta, të cilat ata i cilësojnë si të dëmshme që janë nënshkruar vite më parë dhe që e kanë sjellë këtë ndërmarrje publike buzë falimentimit.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka deklaruar për “Kosovapress”, se të gjitha dëshmitë që posedojnë për parregullsitë që kanë ndodhur tashmë i kanë dorëzuar një grupi të avokatëve vendorë e ndërkombëtarë.

“Ne tash me disa avokatë vendorë dhe disa avokatë ndërkombëtarë me të cilët jam në kontakt dhe u’a kam dërguar dokumentacionet në Bruksel. Jemi duke e përgatitur lëndën, ndoshta t’i adresohemi edhe Gjykatës Kushtetuese, si institucioni më i lartë, për shkak se gjykatat vendore nuk janë marrë seriozisht me dëmet që janë shkaktuar në Telekom dhe me faktet që kemi dërguar ne dhe Telekomi i Kosovës”, ka thënë Balaj.

Gjendja në Telekomin e Kosovës vazhdon të jetë e rëndë. Balaj ka thënë se vetëm një pjesë e vogël e punëtorëve kanë marrë pagat e dhjetorit ndërsa nuk ka datë se kur pjesa e mbetur e punëtorëve do të paguhen për punën e tyre në muajin e fundit të vitit 2020.

“Gjendja është e rëndë, nuk ka ndonjë ndryshim nga viti 2020 dhe pothuajse çdo ditë është duke u keqësuar gjendja, për shkak të problemeve financiare që ka Telekomi në aspektin financiar, kontratat e dëmshme dhe pranimi i borxhit nga Qeveria e Kosovës, për ‘Z Mobile’. Punëtorët, një pjesë i kanë marrë pagat, një pjesë jo. Domethënë pjesa me e madhe nuk i kanë marrë pagat dhe nuk dihet se kur do t’i marrin ato paga”, ka thënë Balaj.

Qeveria e Kosovës, si aksionar i vetëm i ndërmarrjes Telekomi i Kosovës, kishte arritur marrëveshje me kompaninë “Dardafon” për shlyerjen e detyrimeve që rridhnin nga çështja e humbur në arbitrazh.

Balaj ka thënë ë se përkundër që kishte pasur një dakordësi mes Telekomit dhe kompanisë “Dardafon” që detyrimi të shlyhej për një periudhe deri në 6 vite, me insistimin e Qeverisë së Kosovës afati është shkurtuar në dy vjet me premtimin se do të merret një kredi, por që garancia për të nuk i’u ishte dhënë nga ekzekutivi.

“Qeveria ka insistuar të shkohet me një kthim të borxhit për ‘Z Mobile’ për dy vjet sepse do të jepet një lloj kredie. Ndërsa sipas informatave të mija ka qenë shumë afër që Telekomi të arrijë një marrëveshje për pesë deri në gjashtë vite për të kthyer borxhin. Por, pas insistimit të qeverisë dhe takimit që është bërë në mes të krerëve të ish-‘Z Mobile’ dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë, është arritur për dy vite. Ne kemi mbetur në baltë sepse, as nuk na kanë dhënë garancinë për kredi, as nuk kemi marrë subvencion si kanë marrë kompanitë e tjera (publike)”, ka thënë Balaj.

Balaj ka theksuar se deri më tani nuk e kanë parë asnjëherë marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe “Dardafon”-i.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar propozimin…