Punëtorët në grevë, Bordi i KEK-ut shprehet i hapur për dialog

03 prill 2023 | 13:48

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë mbajtur të hënën grevë njëorëshe.

Në njoftimin e Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës është bërë me dije se greva mbahet lidhur me kërkesën për ngritjen e pagave.

Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka njoftuar se ka shqyrtuar kërkesat dhe shqetësimet e punonjësve lidhur me pagat në ndërmarrje dhe gjithnjë do të jetë i hapur për dialog me punëtorët dhe sindikatat.

“Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës shpreh falënderimin e tij për të gjithë punonjësit e KEK-ut, në veçanti të atyre që punojnë në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit (DPQ) dhe Termocentralet Kosova A (TCA) dhe Kosova B (TCB) për angazhimin e tyre të palodhshëm. Bordi i KEK-ut njofton të gjithë punonjësit dhe opinionin se punëtorët e saj vlerësohen si aseti më i rëndësishëm i funksionimit të korporatës dhe KEK ka prioritet bazë zhvillimin, rritjen dhe modernizimin e tij si dhe përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve. KEK-u në vazhdimësi ka shqyrtuar kërkesat dhe shqetësimet e punonjësve lidhur me pagat në ndërmarrje dhe gjithnjë do të jetë i hapur për dialog me punëtorët dhe sindikatat”, është thënë në njoftimin e KEK-ut, duke theksuar se paga mesatare në KEK është mbi pagën mesatare në sektorin publik dhe privat në Kosovë.

“Po ashtu të gjithë punonjësit e KEK-ut, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor, transporti, pagesa shtesë për përvojën e punës si dhe pagesa për shujta. Duam të potencojmë se gjatë vitit 2022 punonjësit e KEK-ut kanë treguar një performancë të mirë, prandaj për këtë qëllim bordi së fundmi, përmes një vendimi në muajin dhjetor 2022 ka shpërblyer të gjithë punonjësit me nga 500 euro bonus për punën dhe kontributin e dhënë gjatë vitit 2022”, theksohet në njoftim.

Më tej është theksuar se Bordi i KEK-ut është dukë punuar në rishikimin funksional të ndërmarrjes dhe për këtë qëllim do të këtë një ristrukturim dhe transformim i cili planifikohet të fillojë në fund të vitit 2023 dhe pas kësaj struktura dhe nivelizimi i pagave do të shqyrtohen pas këtij ristrukturimi dhe transformimi, në përputhje me strategjinë dhe mundësitë e reja zhvillimore të ndërmarrjes.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me fillimin e gjykimit në Hagë, kryetari i komunës së…