Punëtorët shëndetësorë do t’i gëzojnë pagat sipas Ligjit të ri, thotë Ismaili
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka prezantuar raportin e punës për vitin 2019 dhe planin e punës për vitin 2020. Sipas këtij raporti ofrimi i shërbimeve mjekësore në këtë vit ka qenë më i mirë dhe në qendër ka pasur pacientin.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili duke lartësuar të arriturat e deritashme tha se shëndetësinë e Kosovës edhe në vitin 2020 do e presin sfida pasi vlerëson se ka individë dhe sistem që duhet të përmirësohen.
Ismaili pati disa fjalë edhe për dërgimin e Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese, për çka deklaroi se me këtë vendim është i zhgënjyer, por premtoi se pagat e premtuara dhe të votuara në Kuvendin e Kosovës do i gëzojnë punëtorët shëndetësorë, raporton ksp.
Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu ka thënë se shëndetësia kosovare në këtë vit ka arritur rezultate më te mira se në vitin 2018. Me qëllim që pacienti të ketë shërbime sa më cilësore Sejdiu tha se është investuar mjaftë shumë edhe në infrastrukturën dhe pajisjet mjekësore për të cilat vetëm këtë vit janë shpenzuar 6 milionë euro. Sejdiu tutje shtoi se gjatë këtij viti kanë nisur dy projekte nacionale si ajo e trajtimit të infarktit akut dhe së shpejti do finalizohet edhe projekti për intervenimet në tru.
Drejtori i ShSKUK-së deklaroi se do punojnë që në vitin 2020 të sigurojnë shërbime mjekësore që nuk kanë qenë në shërbime te pacientëve deri më tani.