Punëtorët shëndetësorë në protestë 15-minutëshe, kërkojnë pagat e gushtit

02 shtator 2022 | 11:43

Punonjësit shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë 15 minutat e pauzës i kanë shfrytëzuar për protestë në shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave për muajin gusht.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të QKMF-së në Prishtinë, Sherif Maloku, ka thënë se nuk e dinë arsyen se pse nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit gusht.

“Sot arsyeja jonë e vetme (që po protestojmë) është mosekzekutimi i pagave, indinjata, revolta e cila është krijuar për mosekzekutimin e pagave… Ne dje tërë ditën jemi munduar ta gjejmë fajtorin apo arsyen pse nuk janë ekzekutuar nuk kemi marrë përgjigje të saktë. Ministria e Financave e hedh topin tek komuna, komuna tek Ministria e Financave. Ne thjesht kemi mbet pa paga. Ju e dini në çfarë gjendje janë, revolta është e jashtëzakonshme… 15 minuta është një protestë simbolike që duam ta sensibilizojmë dhe trasojmë pakënaqësitë tona dhe indinjatën tonë”, është shprehur Maloku.

Kryesindikalisti i QKMF-së në Prishtinë veprimet e qeverisë për mospagesë i ka konsideruar të papërgjegjshme dhe luajtje me dinjitetin e tyre.

Ai ka thënë se varësisht prej situatës edhe do të veprojnë, ndërsa theksoi se nuk i janë bashkuar grevës së BSPK-së.

“Ne i konsiderojmë si papërgjegjësi të madhe dhe thjesht janë duke luajtur me dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë, ju e dini në çfarë gjendje keni punuar në pandemi, çfarë kontributi kemi dhënë, kurse sot luajnë me këto paga sa të vogla që janë prapë luajnë me dinjitetin tonë me të vërtetë kjo është e patolerueshme… Varësisht nga situata që do të zhvillohet ne si Sindikatë do të reagojmë komfor mjeteve tona që i kemi… Puna është duke u bërë, ne kemi dal në pauzë i sakrifikojmë minutat tona të pauzës vetëm për të mos ndërprerë punën”, ka thënë ai.

Lidhur me Projektligjin për Pagat të pagave që tashmë pritet të dal në diskutim publik, Maloku është shprehur se nuk është për tu hedhur poshtë, por ka vend për kritika.

Ndërsa Leonora Shala, asistente në Qendrën e Trajnimit, ka thënë se mospagesa e pagës së tyre ua ka vështirësuar jetën sidomos tashmë kur është shtatori dhe ka më shumë shpenzime për shumë familje.

Nga fundi i muajit gusht punëtorët e administratës publike tashmë edhe mësimdhënësit janë në grevë. Krahas Ligjit të Pagave ata po kërkojnë edhe 100 euro deri në hyrje të fuqi të këtij ligji.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë hendbollistë të Kosovës ishin pjesë e ndeshjes në mes…