Punëtorët teknik në disa shkolla të Prishtinës të hënën hyjnë në grevë

04 shkurt 2024 | 16:58

Punëtorët teknik të sektorit privat që kryejnë shërbime për disa shkolla të Komunës së Prishtinës, nesër do të hyjnë në grevë me afat të pacaktuar.

Njoftimin e ka bërë të ditur Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, e cila ka njoftuar se greva do të nis në orën 08:00.

Po ashtu, sipas njoftimit, ata po hynë në grevë për shkak “të maltretimit” që po iu bëhet me paga të vogla.

Ndryshe, Jusuf Azemi, përfaqësues i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, ka bërë të ditur se shumë shkolla në Prishtinë do të përballen me mungesën e shërbimeve nga punëtorët teknikë nga e hëna, pasi ata kanë vendosur të hyjnë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.

Sipas tij, nëse greva nuk sjell sukses brenda javës së ardhshme, ata kanë njoftuar se do të kërkojnë nga komuna të gjejnë punëtorë të tjerë, pasi ata nuk janë të gatshëm të rikthehen në punë me pagën aktuale.

“Shumë shkolla në Prishtinë nga e hëna do të mbesin pa shërbime nga punëtorët teknikë, pasi ata do të hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Këta punëtorë kanë marrë vendim që nëse nuk do të ketë sukses greva brenda javës së ardhshme, ftojnë komunën që të gjejnë punëtorë tjerë, sepse këta më nuk duan t’i kthehen punës me këto paga, vendim i të gjithë punëtorëve në mënyrë unanime. Ja një mostër e njërës prej punëtorëve të një shkolle në Prishtinë”, ka njoftuar Azemi në Facebeook.

Azemi ka publikuar letrën e vendimit për grevë nga punëtorët e shkollës së Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, të cilët e kanë nënshkruar duke thënë se nga 5 shkurti 2024 do të hynë në grevë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka reaguar Presidenca e Kosovës pas lajmit që në faqen…