Punëtorët teknikë të Kuvendit në protestë, Bajrami: Armend Muja le t’u tregojë që i kanë pagat e larta
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka komentuar protestën e punëtorëve teknikë të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka ironizuar me deklaratën e fundit nga Armend Muja, duke thënë që “ai duhet t’u adresohet protestueseve dhe t’u tregojë se i kanë pagat mjaftueshëm të larta”.
“Sot, punëtorët e kompanisë që ka përgjegjësinë për mirëmbajtën e ndërtesave të Kuvendit protestojnë për shkak të pagave të ulëta. Pres nga deputeti Armend Muja që të ju adresohet protestuesve dhe t’i bindë se ‘’ata i kanë pagat mjaftueshëm të larta, se atyre u janë rritë pagat së paku 200 euro në tri vitet e fundit vetëm se ata nuk po e dinë’’. Qeveria e propagandës, ka dështuar me ndryshuar pagën minimale, ka dobësuar sindikatat dhe nuk është marrë me asnjë çështje sociale nëse kjo e fundit nuk ka rezultuar direkt në votë e në përkrahje për LV-në. Organizatat buxhetore si puna e Kuvendit, kur japin kontrata për shërbime kompanive private, një nga kriteret duhet me qenë edhe paga që kanë me i paguar punëtorët. Të paktën kompanitë që financohen nga buxheti i shtetit nuk duhet me lejuar që paga minimale e atyre punëtorëve me qenë nën pagën minimale të stafit të organizatës”.
“Mos harroni këta janë punëtorë që komplet paga mujore ju shkon në ushqim e fatura të rrymës, e çmimet janë dyfish me të larta në krahasim me vitin 2021. Ka tri vite që në të gjitha matjet vendore e ndërkombëtare sfida me e madhe e qytetarëve të vendit është përballushmëria me çmime të larta. Qeveria me mospunë e mosveprime i ka varfëruar qytetarët e vendit, andaj sa me parë që këta përtacë shkojnë në shtëpi është më mirë për vendin”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.