Administrata shtetërore në bllokadë, dështon ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë
Ka dështuar ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale për muajin shtator. Kjo pas skadimit të mandatit edhe të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, ku pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.
Institucionet ishin në pritje të një opinionin të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për funksionimin e administrues shtetërore.
Megjithatë, sipas burimeve të gazetës Nacionale, Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka dhënë një opinion ligjor në përfundim të orarit.
Përmes opinionit, DMZP ka udhëzuar Ministrinë e Financave se si të procedohet nga nesër me ekzekutimin e pagave dhe zëvendësimin e pozitave që kanë funksionuar me ushtrues detyre.
Praktika e Qeverisë Kurti për drejtimin e administratës publike me ushtrues detyre ka çuar në dështimin e procesimit të pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale duke bllokuar kështu funksionimin e administratës.
Neni 35 i Ligji për Zyrtarët Publik tregon se askush nuk mund të caktohet ushtrues detyre më shumë se një vit.
“Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”, thuhet në paragrafin 3 të këtij ligji.
Më tej, në paragrafin vijuese të këtij neni tregohet se duhet të respektohet paragrafi 3.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni”, është thënë në paragrafin 4 të nenit 25.
Kurse, në paragrafin 5 thuhet se çdo vendim i ushtruesit të detyrës pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3 është i paligjshëm.
“5. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm.”, thuhet në paragrafin 5.