Punimet letrare të Behram Hotit nga koha luftës dhe e pasluftës

13 dhjetor 2017 | 09:45

Shkruan: Prof. Nexhat Mustafë Ballanca – Dibra

Me rastin e 55-vjetorit të veprimtarisë atdhetare të poetit, prozatorit, romansierit, publicistit, kronikut mr. Behram Hotit (3)

S. Istogu në shkrimin e vet gazetaresk të datës 3 prill 2000 shkruan se Behram Hoti ka marrë pjesë në përvjetorin e të rënëve në Marinë e Krushec të Skenderajt, ku mbetën 15 familje pa asnjë mashkull në shtëpi. Z. Adem Meta shkruan për ngritjen e lapidarit në Rezallë të Drenicës si dhe për gjestin e Bajram Rukollit që, posa doli nga burgjet sllavo-serbe, “për hir gjakut të derdhur të dëshmorëve të Kosovës dhe për hir të popullit shqiptar, për hir që Kosova ta gëzojë lirinë, e fal gjakun e vëllait, Musës. “Po në këtë tubim prof. Behram Hoti pasi uroi dhe “falënderoi familjen Rukolli për këtë akt burrëror e human, ftoi të gjitha ato familje që kanë raste të tilla të kontribuojnë edhe në këtë mënyrë që populli shqiptar të jetë plotësisht i lirë dhe Kosova të frymojë lirshëm”.

Dhe rruga Behramin e dërgon në Tërrnoc të Luginës së Preshevës. Sipas gazetarit Ferid Bislimi, që shkroi për këtë rast, në Tërnoc të Luginës së Preshevës, me datën 31 dhjetor 2000 ngrihet flamuri kombëtar. Këtë ngritje e përshëndeti komandant Lleshi, si edhe të ftuar e mysafirë të tjerë, ndër të cilët ishte edhe z. Behram Hoti. Ky, të pranishmëve iu drejtua me fjalët “Këtu është Kosovë! Deri dje flamuri kombëtar ka valuar në zemrat e vëllezërve tanë të kësaj treve e tash po valon lirshëm në këtë godinë dhe besoj se do të valojë gjithnjë. Uroj nga zemra të gjithë dhe e gëzofshin të gjithë!”. Dhe në Tërnoc të Madh u shtri dora e pajtimit.
Edhe në këtë kohë, që po jeton dhe po e përjeton ky popull nën okupimin barbar, shpirti skofiar për ta përqafuar dhe për të marrë në ngrykë vëllai-vëllain për t’ia shtri dorën me nyjën e fjalës ‘me besa – besë’, që kurrë më mos të ketë hasmëri në gjakun ilir, tërrnocasit falën gjakun. “Po, do ta marrë në ngrykë dhe do t’ia fali idhnimin, Vaid Limanit sepse e kam vëlla. Kulmet e shtëpive tona në Tërnoc, Bujanoc po afrohen, po ngjiten si amalgam në mes vete dhe një ditë streha e tyre do të pikon mbi strehën që po zgjatet”. Këto ishin fjalët e vëllezërve Avni, Nazif, Qemajl Nazifi, të cilët ia zbardhën fytyrën Tërnocit, familjes së tyre, në veçanti nënës së tyre, asaj burrëreshe, që hyri në odën e burrave për të falë gjakun…
“E paç faqen e bardhë, e të përmendtë populli, o nënë e nderuar, që e nderove shqiptarinë”, tha poeti. Kështu u tha dhe kështu u bë.

Prof. Rexhep Abazi, publikon shkrimin për promovim libri në Drenicë. Shkrimin ia ka kushtuar promovimit të librit “Trimat e lirisë”, të shkruar nga grup autorësh. Aty, paraprakisht, flet për shkollën e Likocit, ku për nder të 28 Nëntorit 1968, grupi i veprimtarëve të Drenicës, me në krye Behram Hotin, ngritën flamurin kombëtar shqiptar, duke e vënë në majë të shkollës. Më tej Behram Hoti foli për të bëmat e gjeneral Shaban Palluzhës.

Nga shumë e shumë falje gjaqesh duhet përmendur edhe pajtimin e faljen e plagëve (Bardh Rugova: Dy familjet Gashi ia falin plagët Ajvaz Berishës, polic i SHPK-së). Në këtë pajtim, përveç pajtimtarëve nga Lëvizja për pajtim, ishte, ndërmjet të tjerëve, edhe Sheremet Ahmeti, njeriu i parë i policisë së Kosovës. Në këtë tubim mori pjesë edhe Behram Hoti, duke thënë se: “E tërë kjo është rezultat i mosfunksionimit të ligjit, sepse vetëm gjyqi mund ta japë dënimin e merituar…” “Ne pajtimtarët e bëjmë vetëm preventivën e gjakderdhjes”.

Për tërë këto pjesëmarrje në mitingje, përvjetorë, mbledhje, diskutime, etj. prof. Behram Hoti së pari tregoi aftësitë e veta intelektuale, pedagogjike, aftësitë oratorike, duke treguar burrëri, qëndresë, paanësi, atdhetarizëm, dashuri ndaj kombit, ndaj Drenicës krenare! Së fundi, në vazhdën e këtyre veprimtarive e pjesëmarrjeve në to, duhet përmendur edhe aktivitetin e palodhshëm të Behram Hotit në pjesëmarrjen e organizimin e konferencës së parë të jashtëzakonshme të Shoqatës Demokratike Çamëria. Halil Kajtazi, në gazetën Kosova sot (rubrika: Kulturë) botoi shkrimin në vazhdime për Bacën Adem, Adem Demaçin.
Në vazhdimin e 18-të përmendet Behram Hoti si djalë i zoti! (fjalë të shkruesit të artikullit). Për poezinë e këtij poeti (B.H.) thuhet se …Mjafton se ka thënë shumë me atë poezi për ata që e kuptojnë.

Gazetari E. Berisha, botoi shkrimin “Veprimtari e frytshme e grupit letrar”. Fjala këtu është për aktivitetin e grupit letrar Fazli Grajçevciu nga katundi Elezaj të Kaçanikut. Nga aktiviteti i madh doli edhe fletushka letrare e tyre me titullin Lajmëtari i lirisë. Në këtë aktivitet të bukur mori pjesë, në mes të ftuarve, edhe Behram Hoti.

Shkrimet e mr. Behram Hotit pas mvehtësisë së Kosovës

Intervistën si lloj letrar e përdor edhe z. Behram Hoti. Për veprimtarinë letrare të Behram Hotit është cekë, edhe në punimin e mëparshëm, po për këtë përvjetor. Kësaj radhe do të tentojë të bëjë një përzgjedhje të punimeve letrare të këtij autori nga koha luftës dhe e pasluftës së fundit në Kosovë. Në këto punime ka zhanre të ndryshme letrare, gjë që tregon aftësinë e afinitetin e autorit për t’i realizuar.

Janë këtu intervista, reportazhe e shkrime gazetareske, pra prozë, por ka edhe poezi. Këtu cekim së pari intervistën e tij të zhvilluar me shkrimtarin, publicistin dhe veprimtarin drenicas, Bedri Tahirin, me titull Galica dhe Drenica – frymëzimet e mia të para …
Është ky portret i shkurtër për këtë poet, autor i një kronologjie historike të atdhetarëve, heronjve kombëtarë dhe të disa veprave të tjera.

Nga reportazhet që i ka shkruar z. Behram Hoti, për fillim veçova atë për Likocin, katund në Drenicë, që është i thatë (pa ujë) dhe i varfër, por është i pasur me krenari dhe histori… Në këtë katund, autorin e reportazhit, më fjalët bujrum, mirë se ke ardhur, mirë se të ka sjellë i madhi zot në derën tonë … ia ka shqiptuar nënë Sofia, sipas traditës drenicase. E dera drenicake, ku ka qenë e martuar nënë Sofija, nuk është mbyllur kurrë!

Kjo nënë e vyeshme ka gatuar me duar, zemër e shpirt për çdonjërin që ka shkelë në prag të shtëpisë. Bile u ka gatuar dhe u ka dhënë bukë edhe një njësie partizano-çetnike, që u bë edhe temë diskutimi e këtij reportazhi, e të cilët kishin ardhur që t’ia djegin kullën. Por në fund partizani shqipfolës u shpreh: “Të lumtë, moj nënë, sepse e kanë pasur ndër mend që ta kallin flakë këtë shtëpi e këtë kullë, por ti e shpëtove me bukë, trimëri e bujari! Por partizano-çetnikët në të larguar nga shtëpia, e plaçkitën shtëpinë… m’i kthyen sofrat mbrapshtë, ma vranë edhe qenin …që ishte i lidhur për myrteku të hamarit! Nuk m’u dhimb buka që ua dhashë, më të hallall, por kurrë hallall mos u koftë që ma kthyen sofrën mbrapshtë …”
Behram Hoti, gjatë tërë kohës së luftës viziton edhe katundet drenicase (lexo më gjerësisht reportazhin: Behram Hoti: Dashuria për vatër e Atdhe nuk shuhet kurrë …, gazeta Fakti, Shkup, 20 shkurt 1999, fq.14).

Katundet, ndonëse të djegura, mirëpresin banorët e tyre të shpërngulur që aty nga tmerret e luftës, të cilët, edhe nëpër fërfëllizat e borës u kthyen në vatrat e djegura të tyre. Meremetuan ahuret e djegura e të rrënuara vetëm e vetëm që me familjet e tyre të fusin kohën dhe disi të shpëtojnë nga acari. Ata kanë kthyer ngase e kanë mundë frikën, e kanë mundë rrezikun, e kanë mundë edhe vetë vdekjen! “… tash jemi bërë një me vdekjen … Nuk kemi ku i largohemi vdekjes…”, “do të hamë bukë e qepë dhe do të qëndrojmë këtu, sepse vetëm toka dhe dheu i ynë na mban.

Janë këto fjalët e secilit që kthehej në vendin e vet për ta vazhduar jetën, ndonëse – në rrezik. E aty ku kthehen pushtuesit ua kishin djegur shporetin, magjen me miell, plevicën dhe koshin e misrit. Prof. Behram Hoti, në gazetën “Fakti” të Shkupit njofton se janë sulmuar të 101 katundet e Skenderajt e Gllogovcit, duke djegur me mijëra shtëpi, dhjetëra mullinj, duke vrarë e masakruar qindra civilë të paarmatosur, mijëra krerë bagëti… Gazeta “Fakti” njofton se qindra tanke dolën nga Fabrika e municionit në Skenderaj, se granatimet sollën pasoja, edhe në këtë mot me acar, migrime e shpërngulje, pra lëshimin e vatrave. Përshkruan më tej pasojat e shkatërrimeve në pasuritë shqiptare.

Në tërë këto luftëra, Drenica ka pasur gati të gjithë territorin bedem antisllav. Në shkrimin e tij “Termopile e historisë së qëndresës kombëtare”, Behram Hoti përshkruan rezistencën e qëndresën e armatosur të katundit Rezallë. Në këtë reportazh, ai ngre lartë virtytet e katundarëve rezallas, si bujarinë, trimërinë, fisnikërinë, zemërgjerësinë, mikpritjen dhe dashamirësinë, duke shtuar se Rezalla ka qenë dhe është shqiptare, se: “Burrat urtakët dhe brezat e Rezallës kontribuuan në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve dhe në shuarjen e hasmërive, me shembullin e tyre të mirë, si dhe iu bashkëngjitën Lëvizjeve Çlirimtare për lirinë e Kosovës dhe të Kauzës Kombëtare. Ai i rikthehet kujtesës po nga Rezalla, në Luftën e Drenicës 1941-45, ku kanë dhënë jetën 38 dëshmorë, e në luftën e fundit po ashtu kanë rënë dëshmorë luftëtarë të njohur të luftës së UÇK-së. Si Rezalla ashtu edhe Likoci është bedem i qëndrueshmërisë kundërsllave.

Behram Hoti për këtë shkroi reportazhin mbi këtë katund heroik. Nga tërë heroizmi i madh i katundarëve likocas, autori, me këtë rast, zgjodhi të veçojë, trimërinë e plakut 82-vjeçar Hasan Jashar Hoti dhe të të riut Fehmi Rama – Hoti, 23 vjeç. Figurën e të parit e përshkruan nga trimëria e tij e dëshmuar gjatë luftërave të Shaban Palluzhës, në luftërat e bëra në Jeni-Pazar, në Kollashin, në Rugovë, në Drenicë dhe në Shqipëri… dhe, së fundi, në prag të shtëpisë së vet të cilën nuk e dorëzoi pa luftë dhe ra dëshmor. Fehmi Bajrush Rama u aktivizua në radhët e UÇK-së dhe dha jetën për atdhe. (Vijon)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Poeti i famshëm boshnjak, Izet Sarajliq, pas dyzet vjetësh të…