Punimet në Merdare dhe Mutidovë afër përfundimit, ngecje në Bërnjak
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur të premten në takim udhëheqësin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), Brendan Keirnan.
Në këtë takim u diskutua ecuria e zhvillimit të punimeve të tri pikave të përbashkëta kufitare me Serbinë në Merdare, Mutivodë dhe Bernjak, në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.
Me këtë rast u vlerësua se punët në pikën kufitare në Merdare dhe Mutivodë janë shumë afër përfundimit. Këto pika kufitare do të jenë moderne dhe me standarde evropiane, ku do t’iu mundësohet qytetarëve lëvizja e lirë.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën shqetësimin e tyre për ngecjen e punimeve në pikën kufitare të Bërnjakut.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, është zotuar se këtë çështje do ta adresojë edhe në nivelin më të lartë, me qëllim që kjo pikë kufitare të modernizohet dhe të lehtësohet kalimi i qytetarëve dhe mallrave.
Gjithashtu, në këtë takim u dakorduan që edhe në të ardhmen të vazhdohet bashkëpunimi mes MPB-së dhe UNOPS për projekte tjera.
/Epoka e re/