Punonjësit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë marrin pagat me rritje

01 nëntor 2018 | 12:48

Nga dita e enjte edhe zyrtarisht krijuesit dhe performuesit e kulturës si dhe punonjësit profesional të trashëgimisë kulturore do të gradohen dhe do të marrin pagat e tyre me rritje, siç edhe pati premtuar javë më parë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi

Solemnisht, punonjës të institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kanë nënshkruar kontratat e reja në bazë të rregullores së re e cila parasheh rritjen e pagave për këto kategori.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se që nga marrja e mandatit, ai është angazhuar për krijimin dhe zhvillimin të politikave kulturore, ambientit dhe mekanizmave të përshtatshëm për kulturën dhe trashëgimin kulturore. “Përpjekjet tona po materializohen sot me nënshkrimin e kontratave në mes të punonjësve dhe të MKRS-së. Urime për të gjithë krijuesit, performuesit dhe punonjësit e trashëgimisë kulturore për nënshkrimin e kontratave të reja. Sot jemi mbledhur këtu për të bashkëbiseduar lidhur me zbatimin e rregullores për gradat dhe pagat e punëtorëve të institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, dhe që solemnisht të marrim pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave të reja në bazë të rregullores së re me të cilën janë ngritur pagat e krijuesve dhe performuesëve të kulturës dhe të punëtorëve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ministri Gashi.

Ai ka vlerësuar se përveç faktit të një trajtimi dinjitoz dhe meritor të punonjësve të këtyre fushave, kontratat e reja janë në kuadër të mbështetjes dhe përforcimit të kapaciteteve njerëzore. “Me miratimin e Rregullores, kemi dhënë përgjigjen e duhur dhe meritore, për çështjet e sistematizimit të pagave, gradimit dhe kategorizimit të krijueseve, performuesëve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore. Kemi krijuar parakushtet për të arritur objektivat e përcaktuara në politikat programore për kulturë e trashëgimi kulturore”, ka sqaruar Gashi.

Ai ka theksuar se jeta e pasur kulturore dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore janë përcaktime jetike të MKRS-së. “Ne po punojmë vazhdimisht që me politikat në fushën e kulturës  dhe të trashëgimisë kulturore të sigurojmë promovimin e kulturës dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit tonë, të sigurojmë ruajtjen identitetin e shoqërisë tonë, dhe një të ardhme të ndritshme për kulturën dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vendin tonë”, ka dhënë mesazhin e tij në fund ministri, duke i inkurajuar dhe porositur përfituesit nga rritja e pagave që të fokusohen në punë kreative e sa më profesionale në fushat e kulturës e trashëgimisë.

Ndërkaq, në emër të përfaqësueseve të institucioneve vartëse të MKRS, Semira Latifi, ka falënderuar ministrin Gashi për realizimin e premtimit të dhënë. “Kërkesa jonë e kamotshme u realizua, dhe për këtë, nder me meritoret është ministri z. Kujtim Gashi, për të cilin shprehim konsideratë dhe respekt të veçante, si ministër i cili e mbajti fjalën e dhënë. Ndoshta edhe mund te dukemi naiv, e ndoshta për dike edhe entuziast, por ne duam që kjo ditë të shënohet si një shembull dhe shtytje edhe për zyrtar të tjerë shtetëror. Te kuptohet se sa e rëndësishme është realizimi i një premtimi publik dhe sa me shprese bëhemi kur përgjegjësit tanë realizojnë atë që e thonë”, ka thënë Latifi.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në…