‘Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare po u rrezikohet shëndeti’
Berat Dakaj, alias Armagedoni, në llogarinë personale në “Facebook” ka bërë me dije se punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” po u rrezikohet shëndeti.
Ai i ka kritikuar udhëheqësit e këtiij institucioni për neglizhimin e kësaj gjendje.
Shkrimi i plotë i Dakajt në “Facebook”:
Mbrëmë mora pjesë në një aktivitet në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Në një korridor të saj qindra pako qumësht për të gjithë punonjësit e bibliotekës. Arsyen sigurisht e dini pse u jepet. Nëse s’e dini, po ju tregoj: u rrezikohet shëndeti gjatë përdorimit të librave të ndryshëm për shkak të kimikateve që përmbajnë librat.
Qumësht, as një gotë, edhe pse nuk kanë kushte aq moderne të punës sa kanë të “Hivzi Sulejmanit”, nuk u jepet punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Para luftës u është dhënë nga një litër, sepse për çdo ditë kapin nëpër duar libra qindvjeçar. Për çdo ditë u rrezikohet shëndeti nga librat e pluhurosur. Për çdo ditë teshtijnë nga dhjetëra herë për shkak të pluhurit e kujt aty s’i shkon mendja të kujdeset për shëndetin e tyre siç është kujdesur drejtori i “Hivzi Sulejmanit” për shëndetin e punonjësve të vet.
Ndoshta udhëheqësit e Bibliotekës Kombëtare nuk e dinë se ata libra përbëjnë rrezik për punonjësit. Ndoshta e dinë, por nuk shqetësohen për shëndetin e tyre. Ama dikush duhet të shqetësohet bre! Nëse jo udhëheqësit e Bibliotekës, Inspektorati i Punës.
Disa punonjës të kësaj biblioteke në javën e ardhshme, në javën e parë një ditë, do të organizojnë një protestë simbolike për t’i shprehur shumë pakënaqësi. Ndërkohë, nëse nuk merr kush vesh, shumë ditë do të mbajnë pllakate në duar derisa të marrin vesh të gjithë.
Dakaj ndërkohë ka bërë me dije se qumësht u shpërndahet punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, punonjësve të Arkivit Komunal të Prishtinës, punonjësve të arkivave të tjera komunale.