Punonte postier në Zvicër, kosovari vodhi 50 paketa me celularë, erdhi i shiti në Kosovë
Një 41-vjeçar me shtetësi të Kosovës është shpallur fajtor ndër të tjera për vjedhje të shumta dhe është dënuar me burgim me kusht nga Gjykata e Qarkut në Emmen, Lucern.
Në periudhën nga korriku 2021 deri në dhjetor 2022 ai ka vjedhur gjithsej 50 dërgesa pako që kishin telefona të rinj celularë brenda tyre, transmeton albinfo.ch. Në atë kohë ai punonte si punonjës në një kompani transporti që kryente porosi transporti për Postën Zvicerane, shkruan agjencia e lajmeve sda.ch.
41-vjeçari i ka shitur në Kosovë celularët e vjedhur, duke përdorur paratë nga shitja për t’u pasuruar. Shuma totale e veprës është mbi 26.000 franga.
Prokuroria publike Emmen i ka shqiptuar atij një dënim me kusht prej 120 ditësh burg, përcjell albinfo.ch. Përveç kësaj, ai duhet të paguajë taksa prej më shumë se 1200 frangash. Vendimi është përfundimtar, siç ka bërë të ditur prokurori publik i Lucernit.