Pushim të hënave për festat që bien në vikend, qytetarët kërkojnë që kjo të ndryshohet
Nesër në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës do të jetë ditë pushimi për shkak të Ditës së Kushtetutës, e cila u festua të shtunën e 9 prillit.
Qytetarët nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që për festat të cilat bien në vikend, të jetë pushim gjatë ditëve të punës.
Vetëm në muajin prill janë tri festa zyrtare gjatë vikendeve, por që të hënave do të jetë ditë pushimi. Përveç, nesër, qytetarët do të pushojnë edhe më 18 prill për shkak se të dielën e 17 prillit festohen Pashkët Katolike, si dhe më 25 prill, për shkak të Pashkëve Ortodokse, të cilat do të festohen të dielën e 24 prillit.
Qytetarët thonë së vendimi është i padrejtë dhe duhet të ndryshohet.
Ish-deputeti Nait Hasani, ka thënë se ky vendim ka mbetur nga e kaluara, pasi sipas tij, ditët e punës nuk duhen të shfrytëzohen.
“Është ligj që është miratuar në Kuvend të Kosovës, është ligj që duhet të ndryshohet dhe festat kurdo në ditë të javës janë, aty duhet të festohet… Nëse në vikend është ditë feste nuk ka nevojë të shfrytëzohet dita e punës, kjo ka mbetur nga e kaluara që është miratuar. Besoj që tashmë e kanë shumicën dhe duhet të ndryshohet, kemi nevojë të punojmë dhe jo të rrimë”, tha Hasani.
Këtë vendim nuk e ka pritur mirë as qytetari Hasim Qanolli, ku edhe ka akuzuar institucionet që nuk po punojnë aq sa duhet.
“Ditët e festës nuk duhen të zëvendësohen hiç, atë ditë që është festa, atë ditë duhet të festohet.. dita e hëne duhet të jetë ditë pune, jo të bëhen nga 4-5 ditë pushim, edhe ashtu pak po punojnë”, tha ai.
Ndërsa, Kumrije Alia tha se ditët e festave nuk është e drejtë të zëvendësohen.
“Vetë emri festat tregon që nuk duhet të zëvendësohen aq më pak në një ditë të javës, është e padrejtë”, tha ajo.
E një qytetare tjetër thotë se janë shumë festa.
“Tepër festa janë, ata që punojnë në të shtetit kanë pushim gjithmonë, atë ditë që është festa duhet të jetë, jo të zëvendësohen”, tha Eva./KP