Reportazh/Pusho bukur dhe shqip

29 gusht 2018 | 11:18

Reportazh / Durrësi në fundgusht, më i frekuentuar se asnjëherë

Ndonëse temperaturat kanë rënë paksa, në Durrës vazhdon të rritet fluksi i pushuesve nga Kosova. Gëzimi, i cili drejton një hotel në këtë qytet, thotë se një gjë e tillë nuk është parë viteve të mëhershme. “Janë dy faktorë. E para, koha ka qenë shumë e mirë. Temperaturat e fundgushtit, prej vitesh nuk kanë qenë kaq të larta dhe e dyta, kushtet në Durrës vijnë e përmirësohen si në drejtim të cilësisë së shërbimeve, po ashtu edhe çmime favorizuese për pushuesit”, ka thënë Gëzimi. Ai ka shtuar se pushuesit kanë qenë jo vetëm shqiptarë, por edhe boshnjakë e maqedonas.

Korriku, sipas Gëzimit, ka qenë me shi, ndërsa në qershor është punuar me grupe/ekskursione, ndërkaq fluksi tash është befasues.

Çifti nga Peja, Shpresa dhe Gazi Thaçi kishin zgjedhur fundin e gushtit për të pushuar bashkë me fëmijët e tyre. Duke konsideruar se mund të kishte vende të lira si përherë në Durrës, ata nuk kishin bërë rezervime të hotelit më parë. “Mezi gjetëm dhe u akomoduam në një hotel. Dhe jemi mirë këtu”, ka thënë çifti nga Peja.

Më tutje, Gëzimi ka treguar se, përveç në hotele, vend të lirë nuk ka as në sektorin privat. “Edhe pse e hëna gdhiu e vranët, kishte ardhje enorme në Durrës. Nga nesër do të ketë përsëri diell dhe si duket kosovarët vijnë më të madhe këtu për shkak se përfundon pushimi veror i fëmijëve”, ka thënë ai.

Në hotelin “Al-Mar” te Shkëmbi i Kavajës, mysafirët ktheheshin sepse nuk gjenin vende të lira. Kishin ardhur edhe çifte nga diaspora të moshave dhe të kategorive të ndryshme, por dominonin pushuesit nga Kosova. Halil Dërguti, avokat nga Mitrovica, kishin ardhur bashkë me zonjën. “Unë vij zakonisht në Durrës, është i frekuentuar, i lirë dhe komod. Për herë të parë jam në këtë hotel dhe në këtë zonë dhe do të rrija edhe më gjatë sikur të mos kisha seanca gjyqësore”, ka thënë ai. Edhe Dërguti mbetet i habitur se sa shumë mysafirë ka në këtë periudhë në bregdetin shqiptar. “Kam biseduar me disa që vijnë në këtë zonë dhe janë të kënaqur. Ndoshta menaxhmenti i hotelit dhe stafi janë shumë korrekt, por vërtet kemi kaluar një pushim për t’u mbajtur mend”, ka thënë Dërguti.

Edhe zonja e tij, Xhevahirja, ishte e kënaqur me këtë pushim dhe mikpritjen shqiptare. “Përpara kemi qenë në Ulqin dhe në Greqi, por tashmë Durrësin nuk e ndërrojmë me asnjë tjetër”, ka theksuar ajo.

Menaxheri i hotelit “Al-Mar” ka thënë se fluksi i pushuesve në shtator varet shumë edhe nga moti që do të mbretërojë gjatë kësaj periudhe. “Do të punojmë me grupe dhe ekskursione, me nxënës dhe me kategori të tjera. Kemi bashkëpunim me agjenci të ndryshme në Kosovë si me ‘Sharr Travell’, por edhe me të tjera”, ka theksuar ai.

Arbani dhe e fejuara e tij, Elina, kishin ardhur nga Gjermania për të kaluar një javë në Durrës. “Mund të thuhet edhe se është turizëm patriotik, pse jo. Kemi nevojë të paktën një javë në vit, qind për qind të jetojmë, të dëgjojmë, të mendojmë e të pushojmë shqip”, ka thënë Arbani, ndërsa Elina, e lindur dhe e rritur në Gjermani, ka thënë: “Prej që jemi në lidhje kemi pasur disa udhëtime bashkë, por përherë një javë në vit e ndajmë për bregdetin shqiptar”.  (N. B.)

Related imageRelated image

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar për…