
Pushteti dështon përsëri t’i sigurojë votat për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
Kuvendi i Kosovës sërish nuk ka arritur t’i miratojë marrëveshjet ndërkombëtare në mungesë kuorumi.
Pavarësisht se nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë votuar pro Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, marrëveshja nuk është ratifikuar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se 76 deputetë kanë marrë pjesë në votim dhe katër të tjerë nuk kanë marrë pjesë fare në procedurën e votimit.
Kuvendi në rend dite kishte edhe disa marrëveshje tjera ndërkombëtare, e të cilat janë bartur në seancën tjetër për shkak të mungesës së kuorumit.
“Nuk ka kushte Kuvendi për t’i trajtuar këto… Të gjitha këto pika të rendit të ditës i kalojnë një seance tjetër”, ka thënë Konjufca.