Pushteti i ri me qasje të vjetra po e lë Podujevën qytezë e jo qytet

04 gusht 2021 | 11:44

Kandidati i AAK-së për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri ka kritikuar qeverisjen në këtë komunë.

Ai ka vlerësuar se pushteti i ri me qasje të vjetra po e lë Podujevën qytezë e jo qytet siç e meriton.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se projekti i Hartës Zonale i Komunës së Podujevës pa përfillur procedurat ka kaluar vlerësimin nga ministritë sektoriale.

“Që ta sqaroj edhe pak më shumë, Harta Zonale duhet të ketë harmoni të plotë me Planin Zhvillimor Komunal. E ky dokument i miratuar tash ka kontradikta, mangësi dhe dykuptimësi në raport me Planin Zhvillimor. Është joligjike dhe e pamundshme që të implementohet Harta Zonale 2020-2028 dhe t’i paraprijë Planit Zhvillimor Komunal 2016-2025”, ka shkruar ai.

 

Postimi i plotë i Tahirit:

Pushteti i ri me qasje të vjetra po e lë Podujevën qytezë e jo qytet siç e meriton

Projekti i Hartës Zonale i Komunës së Podujevës pa PËRFILLUR procedurat ka kaluar vlerësimin nga ministritë sektoriale.

Ky dokument e lë Podujevën qytezë dhe jo qytet siç e meriton dhe siç është njëri prej qyteteve më të mëdha në Kosovë me mbi 89 mijë banorë, me 633 kilometra katrorë dhe me një popullsi ku 57 për qind janë nën moshën 30 vjeç.

Që ta sqaroj edhe pak më shumë, Harta Zonale duhet të ketë harmoni të plotë me Planin Zhvillimor Komunal. E ky dokument i miratuar tash ka kontradikta, mangësi dhe dykuptimësi në raport me Planin Zhvillimor.

Është joligjike dhe e pamundshme që të implementohet Harta Zonale 2020-2028 dhe t’i paraprijë Planit Zhvillimor Komunal 2016-2025.

Sepse Harta Zonale e lë Podujevën qytezë e jo qytet siç është në Planin Zhvillimor Komunal.

Këto dy dokumente duhet të jenë në harmoni sepse vështirë ndryshohen dhe prodhojnë pasoja të mëdha dhe për kohë të gjatë për qytetarët.

Harta Zonale duhet të projektoj një qytet atraktiv për të jetuar dhe për biznese e jo ta kthej Podujevën në qytezë.

Pushteti i ri me qasje të vjetra, me veprime të ngutshme, duhet të ndalet dhe të mos e degradojë edhe më shumë Podujevën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë…