Pushteti ia kthen fjalën Zyrës së BE-së: Gjykata është në betejë me qeverinë, jo qeveria me gjykatën

20 nëntor 2024 | 08:58

Një ditë pasi Zyra e BE-së në Kosovë tha se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga presioni politik, reagoi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke mohuar se po ndërhyn në sistemin e drejtësisë.

Anëtari i Komisionit Parlamentar të Legjislacionit nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha, tha se urojnë që Gjykata të mbetet e pavarur dhe pa ndikim politik por, sipas tij, vendimet e saj po tregojnë që ajo është në betejë me qeverinë, e jo qeveria me gjykatën.

“Ne secilën shoqëri demokratike diskutohen e debatohen të gjitha vendimet e gjykatave kushtetuese, apo të asaj Supreme në rastin e Amerikës. Pra debati dhe komentimi i vendimeve NUK është ndërhyrje në drejtësi, përkundrazi, është ndërhyrje në ekzekutiv kur Gjykata Kushtetuese vlerëson për reforma, kompetencë kjo ekskluzive e qeverisë! Për fund, edhe ne urojmë që Gjykata të mbetet e pavarur dhe pa ndikim politik, por që fatkeqësisht vendimet e tyre po tregojnë që ata janë nën influencë dhe në betejë me qeverinë, e jo qeveria me gjykatën!”, tha Basha për RTV21.

Kryeministri Kurti javën e kaluar tha se Kushtetuesja me vonesat në trajtimin e ligjeve dhe rrëzimin e tyre po e bllokon reformën pozitive dhe progresiste. Kjo deklaratë e tij ngjalli reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë e cila për rtv21 tha se pavarësia e gjyqësorit është një gur themel i sundimit të ligjit dhe kriter thelbësor për çdo shoqëri demokratike.

Gjatë mandatit të Qeverisë aktuale me dhjetëra ligje përfunduan në Gjykatë Kushtetuese. Disa u rrëzuan tërësisht, disa pjesërisht e disa vazhdojnë të presin për vlerësim kushtetutshmërie.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi Donald Trump u zgjodh për herë të dytë president…