Pushteti jugosllav ka qenë dhunues i lirisë, ne kemi qenë ushtarë të lirisë
Profesori, studiuesi, poeti dhe prozatori Bajram Kosumi, sot, më shumë se një bashkëbisedim, për të pranishmit ka mbajtur një ligjëratë për tema të ndryshme në edicionin V të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në qendrën “Libart”.
Ai foli për letërsinë, për burgun, për lirinë, për jetën, për vdekjen.
I pyetur nga moderatori, studiuesi Flamur Maloku, se “në kohën sa ishit i burgosur, a ka ndikuar letërsia që ju ta mbani gjallë jetën dhe ta mbani gjallë shpresën për liri?”, Kosumi është përgjigjur: “Natyrisht se letërsia, sidomos për brezin e vitit ’81, duke më përfshirë edhe mua, por edhe ata që kanë qenë të burgosur më herët, edhe të tjerët më vonë, na ka mbajtur gjallë në kuptimin kulturor. Një është besimi në idealet e drejta filozofike, patriotike, politike, të cilat më vonë ish-të burgosurit politikë nuk arritën t’i shpalosin deri në fund para publikut, sepse në ’81-shin nuk kanë mundur t’i shpalosin, se kanë qenë të ndaluara, por as pas viteve ’90 nuk arritën t’i shpalosin para publikut, dhe pjesërisht edhe sot ata kanë mbetur të panjohur për publikun shqiptar. E unë jam një nga ata që e kam jetuar atë epokë, i njoh ata njerëz, i njoh mendimet e tyre, e njoh kulturën e asaj kohe dhe të tyren. Brezi i ’81-shit është identifikuar me idealet më të mira të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe me idealet më të mira humaniste evropiane të pesë shekujve të fundit. Për studentin e vitit 1981, Leonardo Da Vinçi dhe Xhordano Brunoja nuk kanë qenë të panjohur. Ata dy kanë qenë idealet tona, deri te Hygoi, Volteri, Bajroni, të cilët i kemi adhuruar. Zhan Pol Sartri ka qenë ideali im. Ai brez i ’81-shit, që ka këputur fijen me Jugosllavinë, ka qenë i edukuar dhe i ndikuar prej frymës më të mirë liridashëse: një, shqiptare; dy, evropiane. Ajo frymë e tyre na ka mbajtur gjallë në burgje dhe na ka rritur shpresën dhe besimin. Ne nëpër burgje e mbanim veten se jemi humanistët më të mirë në botë dhe të tjerët, kundërshtarët tanë, janë ajo pjesa e zezë, pjesa e errët, prandaj janë shkruar aq shumë poezi për Xhordano Brunon, që digjet në furrën e druve, vetëm pse e mbron të vërtetën. Kundërshtarët tanë jugosllavë, pjesa zyrtare, i gjithë pushteti ka qenë dhunues i lirisë e ne kemi qenë ushtarë të lirisë. Letërsinë e burgut e kam kuptuar më mirë pasi kam dalë nga burgu, se sa kam qenë në burg unë gjithë kohën kam shkruar letërsi, edhe pse e dija unë, e dinin edhe të tjerët, se ato që i shkruanim do të na merrnin. Ne në burg kishim laps, kishim fletore dhe me të dhe në to unë shkruaja, por një herë në vit, dy herë në vit, hynte racia, kontrolli i rreptë dhe i hollësishme. Çfarëdo që na gjenin të shkruar në burg, na merrnin. Unë e dija që do të m’i merrnin ato që i shkruaja, por unë e bëja këtë veprim sepse ai ishte për mua motus ekzistencial. Unë brenda burgut jetoja një tjetër jetë, duke shkruar poezi, ese ose tregime. Unë e bëja këtë jetë aty. Dhe më vonë, te libri im ‘Letërsia nga burgu’, kam shkruar se ne të burgosurit e krijuam republikën e letrave nëpër burgjet jugosllave. Kjo figurë, kjo shprehje, besoj se është shumë e saktë dhe shumë e vërtetë. Aty e krijuam këtë lloj republike, se atë politike ende s’e kishim krijuar… prej asaj letërsie të burgut, një pjesë ka mbijetuar, pjesa më e madhe nuk ka mbijetuar, një pjesë është botuar, një pjesë tjetër ende s’është botuar. Po mos të ishte letërsia në burg, letërsia shqipe sot do të ishte më e varfër pa atë letërsi që është krijuar brenda qelive”.
Disa pjesë nga bashkëbisedimi me të i gjeni në llogarinë e gazetës Gazeta “Epoka e re” në “Facebook”. Të tjerat video nga bashkëbisedimi me të do t’i publikojmë deri nesër në këtë kohë./Berat Armagedoni/Epoka e re/
Fotografinë: Zjarr Bujari