Pushteti ka rrëzuar vetveten
Shkruan: Albin Kurti
Të gjithëve na kujtohet qysh sivjet, mu në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së, me 6 e 7 mars, PAN-i dhe paterica e tyre në Kuvend, vraponin nga komisioni në komision, nga deputeti në deputet, për ta kaluar ligjin special të tyre për dialog me Serbinë. E gjithë kjo nëpërmjet seancës së jashtëzakonshme, në dy lexime shpejt e shpejt që nuk e bënin as një të tillë tamam. Mirëpo, ja që e paskan shkelur fort e shumë Kushtetutën e Kosovës, ashtu siç kemi thënë ngaher` ne të opozitës. Qysh me paragrafin e parë të nenit të parë të ligjit special të tyre e kanë shkelur Kushtetutën!
Origjinën e kësaj shkeljeje duhet kërkuar te dy premisa politike të cilat duket t’i ketë pasur formimi i PAN-it në maj 2017. E para: të bëhet ratifikimi i ‘demarkacionit’ me Malin e Zi. E dyta: dialogu me Serbinë t’i lihet presidentit. Këto dy kushte paraprake të Thaçit i ka pranuar Haradinaj.
I gjithë pështjellimi me ‘delegacionin shtetëror’ të PAN-it dhe ‘ligjin për dialog’ të tyre, ngjau për shkak se kryeministri nuk guxonte ta shkelte ujdinë me presidentin. Ai refuzoi ta votojë rezolutën e dy partive tona opozitare e cila e ndalte dhe ndalonte presidentin në aventurën e tij për pazare me Serbinë. Kjo është fjalia e 31 tetorit 2018 e mocionit tonë të cilën nuk e voton dot kryeministri: “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës.”
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese publikuar më 27 qershor 2019, me vendim unanim, e shpartalloi manovrimin e kryeministrit dhe arbitraritetin e presidentit. I nxori që të dy antikushtetues. Ligji i tyre special ka rënë në përmbajtje. PAN-i me gjithë patericën e vet ka ndërhyrë në hierarkinë dhe në kompetencat institucionale. Ka sulmuar rendin republikan dhe frymën demokratike të shtetit. Kjo është shumë e rëndë. Andaj, si kryeministri, ashtu edhe presidenti, duhet të japin dorëheqje. Gjykata Kushtetuese praktikisht i akuzon të gjithë ‘specialcat’ e ligjit për dialog me Serbinë për tentim puçi ndaj republikës dhe rregullimit të brendshëm të saj.
Së paku 9 paragrafë të 5 neneve të Kushtetutës i kanë shkelur Thaçi e Haradinaj si dhe delegacioni i tyre ‘shtetëror’ e deputetët e tyre votues: paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafin 12 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], paragrafin 1 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë] dhe paragrafin 1 dhe 9 të nenit 94 [Kompetencat e Kryeministrit].
Pra, kanë shkelur formën e qeverisjes, ndarjen e pushtetit dhe vlerat e shtetit, si dhe kanë shkelur kompetencat e kuvendit, të qeverisë e të kryeministrit. Thua se janë kujdesur që shkeljen ta kenë sa më konceptuale dhe sa më inkluzive! Madje, Gjykata Kushtetuese nuk ka hedhur poshtë as kritikat e kundërshtimet tjera opozitare, duke sqaruar se nuk do të merret me shkeljet e pretenduara të nenit 2 [Sovraniteti], nenit 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] dhe nenit 20 [Bartja e Sovranitetit] “Meqenëse Ligji në tërësi është shpallur i papajtueshëm me Kushtetutën”.
I vetëquajturi ‘delegacion shtetëror’ më 15 dhjetor 2018 pat kaluar me 59 vota PËR. I ashtuquajturi ‘ligj për dialogun’ më 7 mars 2019 pat kaluar me 58 vota PËR. Pra, asnjëri s’i kishin as shumicën e deputetëve të Kuvendit. Ndërkohë udhëtuan nja dy herë kot për Bruksel dhe nuk i ndalën takimet ‘sekrete’ me Serbinë as të Avni Arifit se lëre më të Hashim Thaçit. Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ishte veçse gozhdë në arkivolin e një delegacioni që do të kujtohet si ëndërr e keqe.
E sa për përbërjen e atij delegacioni – të mbushur me njerëz pa kredibilitet, legjitimitet, kompetencë e autoritet që përfunduan duke takuar këshilltarët e znj. Mogherini – nuk kemi humbur asgjë më shumë sesa një ‘freak show’. Nuk do të paguajmë më për ta parë dhe as nuk do ta shohim kurrë më.
Kosova duhet të orientohet në forcimin e shtetit, që do të thotë në luftimin e korrupsionit e të krimit, në zhvillimin e ekonomisë e të shoqërisë, pra, në drejtësi për qytetarët dhe në punësim të qytetarëve. E për këtë, sikurse edhe për dialogun e ri e parimor me Serbinë, duhet të merremi vesh vetëm për datën e zgjedhjeve të reja, drejt qeverisë së re e të mirë, me kryeministër që merr përgjegjësi dhe nuk vjedh.