Pushteti konsumon atë që nuk e ka
Shkruan: Anisa Bahiti
Politikani më jetëgjatë i Italisë, Xhulio Andreoti, 7 herë kryeministër dhe në qeveri që në 1945 me Alcide De Gasperin e deri kur ndërroi jetë para ca vitesh si senator i përjetshëm, ishte një njeri që jetoi gjithnjë në pushtet. Kur gazetarët e ngacmonin për ketë gjë, ai përgjigjej: “Pushteti konsumon atë që nuk e ka atë”.
Në këto ditë të nxehta kemi asistuar një spektakël të çuditshëm, por dhe gati qesharak, në kushtet e mungesës totale të opozitës. Opozitën e bën vetë maxhoranca qeverisëse apo dhe segmente të caktuara shtetërore. Fjala vjen, Zëvendëskryeministri, Erion Braçe kritikon Bashkinë dhe Policinë se i ka vajtur vinçi afër dritares së shtëpisë, se Policia nuk reagon dhe se Bashkia është përgjegjëse për këtë. Duket sheshit se Zëvendëskryeministri po i bën opozitë kryetarit të vet të Bashkisë. Socialistëve nuk i pëlqen fare ideja që shefi i ardhshëm do të jetë Veliaj.
Ndërkohë mediat pranë Krye bashkiakut të Tiranës, aludojnë qartë se ai që del tek përgjimet e SPAK-ut për Bashkinë e Lushnjes është pikërisht Braçe. Në anën tjetër, Petro Koçi, kryetar i Partisë Socialiste në Fier dhe një nga socialistët më të vjetër, ka rimarrë “shpatën” si në kohën e Kat’harsisit dhe godet drejtuesit vendorë të Bashkisë Fier për lidhje me krimin. Ata të tjerët i përgjigjen po me të njëjtin ritëm. Po të shtojmë këtu faktin se i vetmi opozitar përballë qeverisë mbetet Presidenti i Republikës, të tjerat nuk duan as mend e as kalem thotë populli. Opozita ka ikur me pushime të thella. Po të mos ishte për Berishën, qoftë për shkak të listës së zezë, qoftë për shkak të ndonjë statusi në “Facebook”, ka mundësi që emri i PD-së të ngatërrohej me ndonjë degë të PS-së.
Shpresojmë që deri nga shtatori, kryetari i PD-së të mos ketë marrë nja dy vila të tjera “me qira” te “Papuli” në Dhërmi, se kështu dhimbja kthehet në forcë. Deri atëherë mbetemi me parimin e Andreotit se: “Pushteti konsumon atë që nuk e ka”.