“Pushtimi” amerikan në Ballkan – Kush janë pesë të dërguarit e Bidenit?

20 tetor 2021 | 12:16

Serbia po i cilëson si “pushtim” vendimet e fundit të presidentit amerikan, Joe Biden, duke u nisur nga pesë emrat që presidenti i SHBA-së, i ka deleguar të merren për periudhën që po vjen në Ballkanin Perëndimor. 

Siç shkruan media serbe “Blic” Washingtoni ka treguar synimet serioze që i ka për rajonin.

Pesë specialet e Biden janë Gabriel Escobar, Christopher Hill, Jeffrey Hovenier, Michael Murphy dhe James O’Brien – disa do të merren me rajonin si ambasadorë, disa si të dërguar specialë të Departamentit të Shtetit, por të gjithë këta zyrtarë kanë përvojë diplomatike, janë energjikë, dhe e njohin mirë Ballkanin.

Ata ishin shumë aktivë në rajon në vitet 1990, dy prej tyre morën pjesë në krijimin e ambasadës së re amerikane në Serbi pas ndryshimeve të 5 tetorit, dy ishin pjesëmarrës në negociatat në Rambuje dhe njëri shkroi tekstin e Marrëveshjes së Dejtonit, përcjell Demokracia.com.

Gabriel Escobar është caktuar i dërguar i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Njerëzit që e njohin e kanë cilësuar si shumë energjik. Ai së fundmi e dëshmoi këtë me pjesëmarrjen në takimet për arritjen e marrëveshjes për çështjen e targave në Bruksel.

Biografia e tij tregon se ka qenë zëvendësshef i misionit në Ambasadën Amerikane në Serbi më 2019.

Në ish-Jugosllavi kishte mbajtur pozitën e shefit të stafit në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Banja Llukë dhe më pas të zëvendësshefit të ekipit diplomatik në Podgoricë.

Sa i përket Serbisë, Escobar do të punojë krah për krah me Christopher Hill, të cilin Biden e nominoi kohët e fundit si ambasador në Serbi. Ardhja e tij pritet vitin e ardhshëm, ata e quajnë një yll diplomatik, por edhe një njeri që mund të shpejtojë zbërthimin e nyjës së Kosovës.

Hill praktikisht “po kthehet në vendin e krimit”, pasi shërbimi i tij i parë ishte Beogradi, dhe ai ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Richard Holbrooke dhe anëtar i ekipit të tij dhe pjesëmarrës në negociatat në Dejton dhe Rambuje.

Ai ishte gjithashtu i dërguari special për Kosovën (nga 1998 deri në 1999), ambasador në Maqedoni dhe kreu i ekipit për negociatat me Korenë e Veriut.

Në një artikull në të përjavshmen Zeit (maj 1999), ai përshkruhet si diplomat me besimin më të lartë të Holbrooket dhe trim që hyn në mes të palëve.

Hill do të shërbejë në Serbi, dhe kolegu i tij Jeffrey Hovenier në Prishtinë.  Hovenier është gjithashtu një “specialist për Ballkanin”, dhe do të shërbej në Kosovë. Turqia është vendi i fundit ku shërbeu si zëvendësshef i misionit. Ka punuar edhe në ambasadat në Greqi e Kroaci dhe s’ka shtet në Ballkanin Perëndimor ku s’ka qenë i përfshirë.

Ai ka qenë pjesë e negociatave në Rambuje, si pjesëtar i ekipit të Martti Ahtisaarit. Ka ndihmuar në hapjen e ambasadës në Beograd më 2000 pas prishjes së raporteve në kohën e luftës në Kosovë.

Dikur ka qenë shef i zyrës së përkohshme të SHBA-së, me punën që lidhej për çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Më 2018, ka marrë medalje nga presidenti Hashim Thaçi në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në deklarimin e tij në Komitetin për Punë të Jashtme në Senatin Amerikan Hovenier ka thënë se “do ta përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, për çka, citoj presidentin Biden, fokusi është te njohja reciproke”.

Ashtu si Hovenier, Michael Murphy, ambasadori i ri i SHBA-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, është veteran i Departamentit të Shtetit dhe ka 29 vjet përvojë në politikat e jashtme. Ai aktualisht shërben si zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit për Evropë e Euroazi.

E njeh mirë Ballkanin, për çka s’është befasi sepse ka pasur pozita të larta në Sarajevë e Prishtinë. Në Bosnje ka qenë këshilltar në Ambasadë në periudhën 2006-2009 dhe në Kosovë zëvendësshef i Misionit amerikan në periudhën 2009-2012..

Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, James O’Brien, i cili është nominuar për koordinator të politikave sanksionuese të Departamentit të Shtetit, do të merret edhe me Ballkanin.

Ai konsiderohet si amerikani kyç në draftimin e Marrëveshjes së Daytonit, dhe i është atribuuar edhe shkrimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, në aneksin për marrëveshjen e paqes.

Nga viti 1989 e deri më 2001 ka qenë këshilltar i lartë i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, si zëvendësdrejtor i parë për planifikime politike dhe i dërguar për Ballkanin.

Në qeverisjet e Clintonit nga viti 1993 e deri më 2001 ka punuar në Departamentin e Shtetit me fokus në çështjet e ish-Jugosllavisë dhe krimet e luftës. Ka punuar edhe me Barack Obaman në Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht është zëvendëspresident i grupit këshillues ndërkombëtar “Albright Stonebridge”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të bëjnë gjithçka…