Putin e quan “serioz” planin e Trump për të aneksuar Groenlandën: Rusia do të mbrojë interesat e veta në Arktik

27 mars 2025 | 20:55

Rusia e konsideron planin e SHBA për të aneksuar Groenlandën “serioz” dhe shqetësohet se Perëndimi mund të përdorë Arktikun si trampolinë për konfliktet e ardhshme, tha të enjten presidenti rus Vladimir Putin.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar të marrë kontrollin e ishullit autonom danez që nga marrja e detyrës në janar, duke thënë se Uashingtoni duhet ta ketë atë për “sigurinë ndërkombëtare”.

“Është gabim trashanik që të mendosh se ky është një diskutim ekstravagant nga administrata e re amerikane. Nuk është asgjë e tillë”, tha Putin në një forum për Arktikun në qytetin verior të Murmansk-ut.

“Ne po flasim për plane serioze nga pala amerikane në lidhje me Groenlandën. Këto plane kanë rrënjë historike të kahershme”, shtoi ai.

Ai zbuloi ndërkaq Rusia nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në çështjen e pronësisë së Groenlandës, por Moska ishte e shqetësuar se “vendet e NATO-s, në përgjithësi, po e përcaktojnë gjithnjë e më shumë veriun e largët si trampolinë për konflikte të mundshme”.

Putin tha se vendet anëtare të NATO-s kanë kryer një numër në rritje të stërvitjeve ushtarake në Arktik.

Ai tha se Rusia “kurrë nuk ka kërcënuar askënd në Arktik”, por “ne po i shikojmë nga afër zhvillimet e fundit”.

Duke thënë se “numri i ushtarakëve në Arktik do të rritet”, ai shton: “Ne po zhvillojmë aftësitë tona të reagimit duke përmirësuar infrastrukturën tonë ushtarake”.

“Ne nuk do të lejojmë cënimin e sovranitetit të vendit tonë, ne do të mbrojmë interesat tona kombëtare”, tha ai më tej.

Megjithatë, ai vazhdoi duke folur për potencialin e bashkëpunimit me “shtetet mike…mundësisht duke përfshirë vendet perëndimore” në rajonin e Arktikut.

“Kam besim se koha për projekte të tilla do të vijë patjetër”, tha ai.

Groenlanda, e cila po kërkon pavarësinë nga Danimarka, është tashmë shtëpia e një baze ushtarake amerikane, të cilën zëvendës presidenti i SHBA-ve JD Vance do ta vizitojë të premten.

Ishulli ndodhet në mënyrë strategjike midis Amerikës së Veriut dhe Evropës në një kohë të rritjes së interesit të SHBA-ve, Kinës dhe Rusisë në Arktik, ku korsitë detare janë hapur për shkak të ndryshimeve klimatike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Vizita dhe takimet historike të Drejtorit të Agjencisë…