Shtrenjtohet sheqeri në Rusi, Putini u vërsulet ministrave
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është shprehur i pakënaqur me ekonominë në kohën e pandemisë.
Ai madje nga nervoza u ka fishkëlluar anëtarëve të ekzekutivit, duke thënë se nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur situatës, teksa të ardhurat e qytetarëve po bien, kurse në anën tjetër po rriten çmimet e ushqimeve dhe papunësia.
“Të ardhurat kanë rënë nga 3 për qind deri në 4 për qind. Ndërsa çmimi i sheqerit është rritur mbi 71 për qind. Njerëzit po kufizojnë veten, sepse nuk kanë para për ushqimin bazë. Çfarë po bëni? Kjo është pyetja! Nuk është shaka. Papunësia po rritet, të ardhurat po bien, ndërsa ju më tregoni përralla”, ka thënë Putin me tone të ashpra.
Shënjestra kryesore e zemërimit të tij ishte në drejtim të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Maksim Reshetnikov.
“Pretendoni se e keni monitoruar situatën, ndërkohë që çmimi i sheqerit vazhdon të rritet prej muajsh. Çfarë keni ndërmend të bëni? Të zhvilloni mbledhje e të shpresoni që gjërat do të zgjidhen vetë”, është shprehur Putin, gjatë mbledhjes, në të cilën u diskutua buxheti për vitin e ardhshëm.