Putin i kërkon falje Izraelit për deklaratën e Lavrovit se “Hitleri ishte hebre”
Vladimir Putin ka kërkuar falje për deklaratën e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili pati thënë se “Hitleri, ka pasur pjesërisht gjak hebre”.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, pas një telefonate që dy liderët e lartë patën me njëri-tjetrin pasditen e 5 majit.
Komenti i Lavrov, pati ardhur gjatë një interviste në një televizion italian, ku ai u përpoq të lidhte figurën e Hitlerit me atë të Volodymyr Zelenskyt sot, pasi ky i fundit ka prejardhje hebree dhe është President i Ukrainës. Ndërsa, një prej qëllimeve të operacionit ushtarak rus në Ukrainë, ka qenë pikërisht denazifikimi i pushtetit qendror.
Kur Lavrov u pyet se si mund të përpiqet Rusia të “denazifikojë” Kievin, teksa presidenti i tyre është pjesërisht hebre, ai tha se “edhe Hitleri kishte gjak hebre”.
Deklarata shkaktoi menjëherë një zemëratë të lartë në Jerusalem dhe kërkesa e faljes u kërkua menjëherë nga zyrtarët më të lartë izraelitë.
Sipas tyre, kjo e Lavrov ishte një përpjekje për t’ja ngecur fajin vetë hebrenjve për tragjeditë që i kanë ndodhur përgjatë historisë.
Ndërsa, mbi kërkesën e faljes nga ana e Putinit, ata janë shprehur falënderues, pasi ka sqaruar qëndrimin zyrtar të Moskës karshi popullit hebre dhe kujtesës së Holokaustit.
Nga Kremlini ndërkohë, flitet se të dy liderët kishin folur gjerë e gjatë për Holokaustin, por ende nuk është konfirmuar nëse Putin ka kërkuar realisht falje apo jo.