Putin kalon në planin B për pushtimin e Ukrainës?!
Vladimir Putin shpreson të ketë një fitore në fushën e betejës në Ukrainën lindore brenda muajit të ardhshëm, në mënyrë që të mund ta festojë Ditën e Fitores të Rusisë në Moskë.
Sipas “Daily Mail” zyrtarët amerikanë thanë se Putin dëshiron që fitorja ndaj Ukrainës të përkojë me një ceremoninë që mbahet në Sheshin e Kuq më 9 Maj, e cila është në përkujtim me dorëzimin e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.
Ata thanë se kjo mund të shpjegojë pse forcat e despotit rus janë tërhequr nga rajoni i Kievit për t’u përqendruar në lindje të Ukrainës pas disa javësh luftime, raportoi The Times.
Ka të ngjarë që Putini mendon se një fitore në fushën e betejës në rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës është më realiste, sepse shumica e popullsisë ekzistuese ukrainase atje është pro-ruse.
Ata besojnë se nëse Rusia fokusohet në lindje të Ukrainës, forcat e Putinit mund të qëndrojnë atje për disa muaj.
Zyrtarët ukrainas gjithashtu mendojnë se parada e Ditës së Fitores do të jetë thelbësore për Planin B të Putinit për pushtimin, pasi strategjia origjinale e tiranit rus dështoi.
Ukrainasit kanë udhëhequr një rezistencë të fortë kundër rusëve të cilët shpresonin të merrnin kryeqytetin Kiev dhe pjesën tjetër të vendit.
Arseniy Yatsenyuk, ish-kryeministër ukrainas, i tha CNN: “Qëllimi përfundimtar i Putinit ishte, është dhe do të jetë të marrë përsipër Ukrainën, por ai dështoi.
“Pra tani, me sa shoh unë, Putini kaloi në planin B. Mendimi im është se plani B ka një afat. Afati i fundit është 9 maji.”
Ukraina e ka akuzuar Rusinë për gjenocid. Barbaria e ushtarëve të Vladimir Putinit u krahasua me mizoritë e nazistëve dhe Terrorit të Madh të Stalinit, ndërsa tmerret e Luftës së Dytë Botërore u kthyen në Evropë, shkruan Daily Mail.
Prokurorët ukrainas thanë se kishin gjetur 410 trupa në qytete pranë kryeqytetit Kiev. Ata thanë se disa dëshmitarë ishin shumë të traumatizuar për të folur.