Putin përfundon telefonatën me Scholz dhe Macron, dalin detaje nga biseda
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron i kanë kërkuar presidentit rus Vladimir Putin që të thërrasë një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, gjatë një telefonate 75-minutëshe të shtunën, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Macron dhe Scholz i bënë thirrje Putinit që “të lëvizë drejt një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit”, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane Steffen Hebestreit.
Ai tha se biseda ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Të dyja palët ranë dakord të mos zbulojnë detaje të mëtejshme të bisedimeve, shtoi ai.
Scholz foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky përpara telefonatës me Putinin për “vlerësimin e tij të situatës aktuale” dhe “ata ranë dakord të qëndronin në kontakt të ngushtë”, sipas zëdhënësit.